Reforma në gjyqësor, avokatët serbë nisin grevë tre ditore kundër ndryshimeve ligjore

Rajon | 7 muaj më parë

Shoqata Kombëtare e Avokatëve të Serbisë nisi të hënën një grevë treditore në shenjë proteste kundër reformës së re në gjyqësor, që kundërshtohet nga Bashkimi Europian pasi, sipas Brukselit, ka gjasë të shtojë presionin ndaj gjykatave të vendit.

Avokatët që marrin pjesë në grevë nuk do të paraqiten nëpër gjykata, prokurori apo para autoriteteve të tjera, përveçse për rastet ku janë të përfshirë të miturit apo vendimet e ndalimit.

Parlamenti serb miratoi muajin e shkuar një sërë ndryshimesh në ligjet për gjyqësorin, të propozuara nga deputeti Ugljesa Mrdic i Partisë Progresiste në pushtet, dhe pa zhvilluar ndonjë debat publik apo konsultime me prokurorët, gjyqtarët ose organizatat ndërkombëtare. Mrdic amendamentet e propozuara i ka cilësuar të nevojshme për rikthimin e gjyqësorit që është nën kontrollin e huaj tek shteti dhe populli i Serbisë.

Kritikët thonë se reforma do të reduktojë pavarësinë e gjykatësve si dhe do të dobësojë garancitë e sigurisë për prokurorët, në një kohë kur në vend vijojnë një numër hetimesh të profilit të lartë për korrupsion ndaj disa zyrtarëve qeveritarë dhe të Partisë Progresiste të presidentit Aleksandar Vuçiç.

“Miratimi i ndryshimeve të rregulloreve jashtë procedurës së ligjshme dhe pa konsultim publik është i papranueshëm dhe në shkelje flagrante me sundimin e ligjit,” – u shpreh Shoqata e Avokatëve në një deklaratë.

Në fillim të këtij muaji, Bashkimi Europian i kërkoi Serbisë të tërhiqte amendamentet duke paralajmëruar se, në të kundërt, do të rishqyrtohej mbështetja financiare e bllokut për vendin ballkanik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme