Vreshtaria, shtyllë e ekonomisë në Lunxhëri – Xhoxhi Kondi, 25 vite pasion
Vreshtaria mbetet një nga pasuritë bujqësore që vazhdon të mbajë gjallë ekonominë lokale në Lunxhëri. Kjo zonë njihet për traditën e saj të hershme në kultivimin e rrushit dhe prodhimin e verës, duke qenë një burim i rëndësishëm të ardhurash për shumë familje.
Toka pjellore dhe klima e përshtatshme e kanë bërë vreshtarinë një aktivitet jetik, që brez pas brezi ka siguruar jo vetëm të ardhura, por edhe identitet për komunitetin.
Një ndër vreshtarët që i ka qëndruar besnik kësaj tradite është 69-vjeçari Xhoxhi Kondi nga fshati Nokovë.
Prej rreth 25 vitesh ai merret me frutikulturë, duke kultivuar rreth 6 dynym vreshta. Ai tregon se puna në vresht kërkon përkujdesje të vazhdueshme gjatë gjithë vitit që nga krasitja në dimër, lidhja dhe pastrimi i hardhive në pranverë, deri te spërkatja dhe mbrojtja nga sëmundjet gjatë verës. Sipas tij, çdo stinë ka rëndësinë e vet dhe çdo neglizhencë reflektohet drejtpërdrejt në cilësinë dhe prodhimin e rrushit.
“Afërsisht ne kemi 25 vite që merremi me vreshtari. Ka shumë punë vreshtaria, që nisin me krasitjen, lidhjet. Duhet bërë dhe spërkatja dimërore”- u shpreh fermeri Xhoxhi Kondi.
Ky aktivitet familjar ka nisur nga pasioni dhe vazhdon ende me të njëjtin përkushtim. Megjithatë, ai shpreh keqardhje që vreshtaria nuk po vazhdohet nga brezat e rinj, të cilët po largohen drejt qyteteve apo jashtë vendit.
Për më tepër, tregu i produkteve bujqësore po bëhet gjithnjë e më i vështirë, me konkurrencë të lartë dhe çmime jo gjithmonë të favorshme për prodhuesit vendas.
Pavarësisht sfidave, ai mbetet i bindur se vreshtaria është një pasuri që duhet ruajtur dhe zhvilluar, si një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë dhe traditës së zonës.
Gazetare B.Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





