Lamallari takon përfaqësuesit e UNODC, projektohet postacion i ri në Rinas dhe Qendër Rajonale për të miturit

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim të rëndësishëm me përfaqësues të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC). Në fokus të bisedimeve ishte thellimi i bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe prezantimi i projekteve të reja që synojnë rritjen e sigurisë në vend.
Përmes një mesazhi të ndarë në rrjetet sociale, Ministri Lamallari e cilësoi takimin si tejet të frytshëm, duke theksuar se palët rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për të goditur korrupsionin, trafiqet e paligjshme, drogën dhe për të parandaluar terrorizmin.
Zgjerimi i prezencës së UNODC në Shqipëri
Një nga pikat kryesore të takimit ishte konsolidimi i rolit të agjencisë së OKB-së në vendin tonë.
“Jemi në rrugë të mbarë për të finalizuar forcimin e prezencës së kësaj zyre në vendin tonë në kuadër të Programit Rajonal për Evropën Juglindore 2024–2029, që do të rrisë bashkëpunimin me institucionet shqiptare dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta,” u shpreh kreu i Ministrisë së Brendshme.
Gjatë tryezës u diskutuan dy nisma konkrete që pritet të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe shoqërinë shqiptare.
U propozua ngritja e një pike të dedikuar të UNODC në Rinas, me qëllim menaxhimin më efektiv të flukseve të migracionit dhe rritjen e sigurisë kufitare, si dhe ngritja e një qendre për Rehabilitimin e të Miturve. Shqipëria kërkon angazhimin e drejtpërdrejtë të UNODC-së në këtë qendër.
Projekti synon riintegrimin e plotë të të miturve në shoqëri, me ambicien e qartë që ky institucion të shërbejë si një model suksesi dhe referimi për të gjithë rajonin e Ballkanit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.








