Berisha: Të rinjtë shqiptarë të arrestuar në Beograd duhet të lirohen urgjentisht, përndryshe do protestojmë para ambasadës serbe

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp nga selia blu, ka reaguar ashpër ndaj arrestimit të katër të rinjve shqiptarë në Beograd, duke e cilësuar aktin si të papranueshëm dhe të motivuar nga urrejtja ndaj shqiptarëve.
Berisha deklaroi se “Së pari, dua të dënoj me forcën më të madhe arrestimin e katër të rinjve shqiptarë në Beograd me urdhër të Aleksandër Vuçiç, kreut të organizatës kriminale të Beogradit. Të rinjtë shqiptarë janë arrestuar për fajin e vetëm se njëri prej tyre ka postuar në Facebook apo Instagram një flamur shqiptar me portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit. Dhe sipas organeve të Beogradit, ka thënë edhe fjalë të papërshtatshme për Serbinë.”
Ai e krahasoi këtë veprim me praktikat e diktaturave më të ashpra, duke shtuar se, “Ky akt i shëmtuar e barazon Aleksandër Vuçiçin me Kim Jong Un-in, me Ajatollahët e Teheranit dhe tregon një racizëm të papërmbajtur dhe urrejtje ndaj shqiptarëve. Dënoj me forcën më të madhe këtë akt të pashembullt dhe kërkoj lirimin e menjëhershëm të të rinjve shqiptarë.”
Berisha i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë, që sikurse ai shtoi, “komuniteti ndërkombëtar të dënojë me forcë këtë akt që tejkalon të gjitha limitet, që mund të ndodhë vetëm në diktaturat më të zeza.”
Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama për heshtje ndaj këtij rasti.
“Dënoj heshtjen e argatit të Vuçiç-it në Tiranë, kreut të organizatës kriminale, Edi Ramës, ndaj aktit të padronit të tij.”
Berisha theksoi se katër tifozët nuk kanë kryer asnjë akt të paligjshëm.
“Katër tifozët nuk kanë kryer asnjë akt përveçse kanë postuar në rrjetin e tyre social status me flamur dhe kanë thënë mendimet e tyre për Serbinë, të cilat sipas Vuçiçit qenkan të ndaluara në territorin e Serbisë. Kjo është unike në botë. Ky është turp!”
Në përfundim, kreu i PD paralajmëroi se opozita do të ndërmarrë hapa konkretë nëse të rinjtë nuk lirohen.
“Kërkoj lirimin urgjent, përndryshe opozita do marrë hapat e veta të protestave të fuqishme para përfaqësisë së Beogradit në Tiranë. Ata duhet të lirohen menjëherë!”
/rtsh.al./
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





