4- vjetori i masakrës së Bucha-s – Kryediplomatët e BE-së në Ukrainë, garantuan mbështetje për Kievin 

Uncategorized | 6 muaj më parë

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Kaja Kallas e shoqëruar nga ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së dhe kryediplomati ukrainas Andriy Sybiha, përkujtuan këtë të martë viktimat e masakrës së qytetit Bucha. Diplomatët evropianë vizituan memorialin në Kishën Apostullore të Shën Andreas së Parë dhe nderuan me një minutë heshtje viktimat. Kaja Kallas theksoi se është thelbësore të mos harrohen ngjarje të tilla, ndërsa vuri në dukje se qëllimi i vizitës është të mbajë në agjendën ndërkombëtare çështjen e përgjegjësisë së Rusisë  për krimet e kryera.

 “Nëse nuk ka llogaridhënie, nëse këto krime mbeten të pandëshkuara, atëherë nuk ka mundësi të kemi një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, sepse drejtësia është pjesë e procesit të paqes.”, u shpreh Kallas.

Nga ana tjetër, ministri ukrainas Andriy Sybiha theksoi se prania e diplomatëve të lartë evropianë në Kiev dhe në Bucha forcon solidaritetin me Ukrainën dhe nënvizon se çështjet e drejtësisë dhe llogaridhënies për krimet në Donbas dhe Kiev mbeten në qendër të vëmendjes globale.

“Është shumë simbolike që e fillojmë këtë ditë në Bucha, sepse ky qytet është një simbol i krimeve ruse të kryera në territorin e Ukrainës. Në sfondin e ngjarjeve që po ndodhin në Lindjen e Mesme, është shumë e rëndësishme që Ukraina të mbetet në qendër si të agjendës globale ashtu edhe të asaj rajonale”, tha Andriy Sybiha.

Vizita në Ukrainë u zhvillua në përvjetorin e katërt të zbulimit të vrasjeve masive të civilëve në Bucha, ku pas tërheqjes së trupave ruse në vitin 2022, u zbuluan trupat e qindra civilëve të vrarë në mënyrë të dhunshme, ndërsa masakra shkaktoi zemërim ndërkombëtar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme