Protesta në Beograd, studentët përplasen me policinë
Qindra studentë serbë u përleshën me policinë në Beograd gjatë një proteste kundër kontrolleve policore në zyrat e Universitetit të Beogradit, pasi një studente 25-vjeçare ra nga dritarja e një prej ndërtesave të një fakulteti të premten e kaluar.
Rektori i Universitetit Vladan Djokic u tha protestuesve se policia hyri në ndërtesë pa një shpjegim të vlefshëm ligjor duke kërkuar dokumente dhe kishte sekuestruar kompjuterë.
“Ata nuk ishin aty për të hetuar, por për të poshtëruar. Ata ishin aty për t’i thënë çdo profesori, studenti, qytetari: shikoni çfarë u ndodh njerëzve që nuk heshtin. Mund të bastisësh ambientet e universitetit, por jo ndërgjegjen e njerëzve.” – u shpreh ai para turmës.
Dragan Vasiljevic, drejtor i policisë serbe u shpreh se oficerët po vepronin me urdhër gjykate kur hynë në zyrat e universitetit për të kërkuar prova në lidhje me vdekjen e studentes.
“Puna dhe qëllimi kryesor i policisë është të hedhë dritë mbi rastin e vdekjes tragjike të vajzës. Ne po veprojmë sipas urdhrave të Prokurorisë së Lartë Publike”- tha ai duke shtuar se protestuesit sulmuan policinë që po kryente detyrën.
“Kjo ishte vërtet e pakuptimtë. Policia rivendosi rendin me një përdorim minimal të forcës”- deklaroi Vasiljeviç.
Protestat antiqeveritare kanë përfshirë Serbinë që nga dhjetori i vitit 2024, një muaj pasi 16 persona vdiqën si pasojë e shembjes së një strehe në një stacion hekurudhor në qytetin verior serb të Novi Sadit.
Protestuesit dhe udhëheqësit e opozitës akuzojnë presidentin serb dhe aleatët e tij për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar, dhunë kundër kundërshtarëve politikë dhe shtypje të lirisë së medias, ndërsa Vuçiç dhe aleatët e tij i mohojnë ato akuza.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





