Dialogu-Sorensen takon Vuçiçin, kërkon uljen e tensioneve dhe zbatimin e marrëveshjeve

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, ka zhvilluar takime kyçe në Beograd me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryenegociatorin Petkoviç për të zhbllokuar procesin e dialogut. Gjatë bisedimeve u diskutua gjerësisht për zbatimin e ligjit për të huajt dhe për mbarëvajtjen e marrëveshjeve të arritura deri më tani në Bruksel.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Sorensen e vlerësoi takimin si mjaft konstruktiv duke thënë se “u pajtuam për nevojën që të punojmë së bashku për të mirën e të gjithëve”.
Nga ana tjetër, presidenti Vuçiç u shpreh i shqetësuar për sigurinë e popullsisë serbe në Kosovë, duke akuzuar Prishtinën për aplikim selektiv të ligjeve. Kreu i shtetit serb nënvizoi se veprimet e njëanshme rrisin tensionet në terren, ndaj sipas tij, “angazhimi i fortë i Bashkimit Evropian është thelbësor për të parandaluar provokimet”.
Ai kërkoi sërish formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si kusht për stabilitetin e brishtë në rajon.
Ky takim vjen pas vizitës që Sorensen pati në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti, ku u ofruan disa lehtësira të përkohshme për qytetarët serbë.
Ndërkohë, kreu i qeverisë së Kosovës ka deklaruar nga Mitrovica e Veriut se institucionet shtetërore janë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim.
Përpjekjet diplomatike po koordinohen ngushtë edhe me Departamentin Amerikan të Shtetit për të gjetur një gjuhë të përbashkët mes palëve.
Megjithatë, një takim i nivelit të lartë mes dy vendeve mungon që prej shtatorit të vitit 2023, pavarësisht gatishmërisë së treguar nga Brukseli.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




