Bllokohen dhjetëra kamionë në Han të Hotit, protesta e kamionistëve në Mal të Zi kundër një rregulli të ri të BE-së
Arsyeja e kësaj proteste lidhet me zbatimin e një rregulli të ri të Bashkimit Evropian për hyrje-daljet në zonën Shengen, i cili synon rritjen e sigurisë kufitare dhe ka nisur të zbatohet që në tetor të vitit të kaluar.
Për arsye sigurie dhe për të shmangur bllokimin e rrugëve apo incidente të mundshme, është vendosur që të ndalohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë nga Shqipëria drejt Malit të Zi deri në përfundim të protestës. Ndërkohë, në akset rrugore që të çojnë drejt pikave kufitare me Republikën e Malit të Zi, do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet e vogla, mjetet e emergjencës, autobusët dhe automjetet e transportit të pasagjerëve.
Policia Kufitare kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve të tonazhit të rëndë për respektimin e këtij kufizimi të përkohshëm, me qëllim shmangien e bllokimeve dhe incidenteve të mundshme.
Sipas të dhënave të personelit doganor, në ditët normale të punës, nga Dogana e Hanit të Hotit qarkullojnë mesatarisht rreth 120 kamionë me mallra, si dhe rreth 20 kamionë tranziti. Kjo është protesta e dytë e organizuar nga kamionistët e Republikës së Malit të Zi, pas asaj të zhvilluar në fund të muajit janar të këtij viti.
Gazetar: M. Rakaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




