Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari: Heroizmi i zjarrfikësve shpëtoi jetë, hetimet do të përcaktojnë shkaqet e zjarrit
Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, ka reaguar për mediat pas zjarrit të madh që përfshiu një pallat 12-katësh pranë spitalit “Nënë Tereza” (QSUT), duke konfirmuar se flakët janë neutralizuar dhe vatrat aktive janë shuar.
“Prej 4 orësh, Prefektura ka marrë masat për të gjithë forcat në këtë rast emergjent. Falenderoj zjarrfikësit, forcat e urgjencës, FA, forcat vullnetare, RENEA. Jemi të lumtur se nuk kemi asnjë viktimë. Kemi të dëmtuar me djegie jo të rëndë, ndërkohë që janë nxjerrë disa banorë të pamundur nga pikëpamja shëndetësore. Para 10 minutash u evakuuar një person që ishte në gjumë, person i vjetër, falë heroizmit të forcave tanë. Zjarri është vënë në kontroll. Ne do rrijmë deri në fund fare,” deklaroi Hajdari.
Ai theksoi se reagimi i shpejtë i strukturave të emergjencës ka qenë vendimtar për të shmangur pasoja fatale.
“Shteti është këtu. Me këto vështirësi që ka mbulimi i emergjencave civile, për 2-3 orë ka vënë në kontroll një zjarr që shpërtheu për 5 minuta. Zjarrfikësve i kemi shumë borxhe. Mendoj se sonte do vazhdojmë të shikojmë këtë ngjarje, që është e rëndë, por kemi bërë më të mirën,” u shpreh ai.
Prefekti bëri të ditur se pas përfundimit të operacionit të shuarjes së flakëve, do të nisë faza e hetimeve nga prokuroria, ekspertët kriminalistë dhe mjekësia ligjore për të përcaktuar shkaqet e zjarrit.
“Sapo të mbarojmë punë këtu, grupi i hetimit do kryejë veprimet e para hetimore” tha Hajdari.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





