Interes i lartë për prodhimin e RTSH në Muse-X, eventi mbyll edicionin e dytë
Në fund të rrugëtimit të tij, Festivali Muse-X në edicionin e dytë ka shënuar një numër në rritje vizitorësh. Në stendën e RTSH interesi ka qenë i lartë përsa i takon informacioneve që publiku kërkon mbi ofertën e të gjithë prodhimeve artistike dhe emisioneve që ofron ekrani i të gjithë shqiptarëve.
Publiku ka pasur kuriozitet edhe për pajisjet apo objektet teknike të rralla të ekspozuara në stendë, si një dëshmi e një historie të gjatë që mbart RTSH.
Pjesë e këtij minimuzeu janë edhe veshjet me të cilat kanë performuar dyshja e artistëve fitues Beatrice Gjergji dhe Kolë Laca, si dhe artisti Alis, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion.
Me panele të ndryshme diskutimi, ku nuk kanë munguar ekspertë të huaj me fokus muzikën, RTSH ka prezantuar jo vetëm vlera por edhe traditën e organizimit të Festivaleve të Këngës, me përfaqësime dinjitoze ndër vite në arenën ndërkombëtare.
E ftuar në stendën e RTSH, Ministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve Lira Pipa tha se ky organizim shërben si një rrjetëzim për një pjesëmarrje të gjerë dhe vjen si një gjallërim për qytetet:
“Ne kemi mbështetur rreth 250 organizime në thirrjen që Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve lançoi në fillim të vitit. Platformat e panaireve të turizmit ku ka marrë pjesë këtë vit Shqipëria, kanë qenë dëshmi shumë e qartë e prezencës sonë ndërkombëtare” – u shpreh Lira Pipa.
Pipa u ndal edhe tek mbështetja dhe politikat në vijim që ministria e kulturës ka:
“Fondi Kombëtar i Artit, i cili do të gjenerohet nga kursimet prej tenderave, do të shërbejë për mbështetjen e skenës artistike dhe blerjen e veprave të artit.”
Këtë të dielë, si dita përmbyllëse e këtij edicioni, Festivali Muse-X ia ka kushtuar muzikës rock me pjesëmarrjen e artistëve të njohur, mes të cilëve edhe grupit legjendar Elita 5.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





