Sekretarja amerikane e Punës jep dorëheqjen pas akuzave për sjellje të papërshtatshme

Amerikë | 5 muaj më parë

Sekretarja e Punës e Donald Trump, Lori Chavez-DeRemer, po largohet nga detyra, njoftoi administrata të hënën, pas një serie akuzash për sjellje të papërshtatshme.

“Sekretarja e Punës Lori Chavez-DeRemer do të largohet nga administrata për të marrë një pozicion në sektorin privat”, tha zëdhënësi i presidentit, Steven Cheung.

Chavez-DeRemer është anëtarja e tretë e kabinetit, të gjitha gra që largohet gjatë mandatit të dytë të presidentit, pas Sekretares së Sigurisë Kombëtare Kristi Noem dhe Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi.

Megjithatë, largimi i saj vjen pas një sërë polemikash. Sekretarja dhe bashkëpunëtorët e saj janë nën hetim nga Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Punës për shkelje të mundshme profesionale.

Sipas raportimeve të gazetës The New York Times, akuzat përfshijnë përdorim të burimeve shtetërore për qëllime personale, si dhe ndikim në shpërndarjen e fondeve publike.

Po ashtu, janë shqyrtuar komunikime të papërshtatshme me staf të ri, ku përfshihen edhe anëtarë të familjes së saj.

Bashkëshorti i saj, një mjek anesteziolog, u ndalua të hynte në selinë e Departamentit të Punës në Uashington, pas akuzave për ngacmim seksual nga punonjëse. Autoritetet ligjzbatuese nuk ngritën akuza penale, por hetimi administrativ vazhdon.

Senatori republikan John Kennedy deklaroi se dorëheqja ishte një vendim i mençur.

Chavez-DeRemer ka qenë më parë anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara nga Oregoni dhe kishte mbështetje nga sindikatat, përfshirë International Brotherhood of Teamsters.

Gjatë mandatit të saj në Departamentin e Punës të SHBA-së, ajo promovoi politika për tregun e punës, por administrata gjithashtu anuloi programe ndërkombëtare kundër punës së fëmijëve dhe rishikoi dhjetëra rregullore për sigurinë dhe kushtet e punës, masa që u kritikuan nga sindikatat dhe ekspertët.

Në fund, u njoftua se Keith Sonderling do të shërbejë si Sekretar i Përkohshëm i Punës.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme