Prokurimet publike me asistent të ri virtual, krahas “Diellës” së shpejti dhe “Gjoni”

Politikë | 13 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama njoftoi prezantimin e një asistenti të ri virtual, të quajtur “Gjoni”, i cili do t’i bashkohet “Diellës” në sistemin e ri të prokurimeve publike. Sipas Ramës, asistenti i ri do të ketë një rol specifik në ndjekjen e çdo procesi prokurimi, me synimin për të rritur transparencën dhe kontrollueshmërinë.

Gjatë prezantimit të modelit të ri të prokurimeve të përqendruara, Rama u shpreh se bashkëpunimi mes dy asistentëve virtualë do të mundësojë një mbikëqyrje më të plotë të procesit, duke krijuar më shumë besim te bizneset pjesëmarrëse.

“Së shpejti, krahas ‘Diellës’, do të jetë edhe ‘Gjoni’ në këtë fushë, i cili do të merret specifikisht me çdo proces të prokurimit. Kur të dy të bashkohen, do të jenë shumë më tepër në zotërim të procesit.

Shpresoj të krijohet bindja se ka fitues me të drejtë dhe humbës me meritë, ku humbësit ta shohin me sytë e tyre dhe t’i kontrollojnë fletët e procesit, pasi procesi do të jetë i kontrollueshëm manualisht.

Nuk do të jetë një proces i mbyllur në ekranin e Diellës, por një proces ku kushdo që do të ketë pretendime, ta ndjekë atë edhe manualisht”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme