Balla në Bruksel, takohet me Raportuesin e PE: Shqipëria drejt BE pa kthim pas, negociatat në fazë vendimtare

Uncategorized | 5 muaj më parë

Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla gjatë vizitës së tij në Bruksel është takuar me Raportuesin e PE-së Andreas Schieder me të cilin ka diskutuar mbi reformat në Shqipëri dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis e BE-së.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Balla bën me dije se raporti i këtij viti për vendin tonë, i cili do të votohet më 5 maj në AFET, është një udhërrëfyes i rëndësishëm ku do të vlerësohen arritjet e Shqipërisë.

Po ashtu, Balla theksoi se progresi i bërë nga Shqipëria në rrugën europiane, kontribuon në stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe Europë.

“Bruksel/ Takim shumë i frytshëm me Raportuesin e Parlamentit Europian Andreas Schieder, një mik i vyer i Shqipërisë. Raporti i këtij viti për Shqipërinë, i cili tani ka marrë formën përfundimtare dhe do të votohet në AFET më 5 Maj, është një udhërrëfyes i rëndësishëm ku vlerësohen arritjet e Shqipërisë dhe inkurajohet vazhdueshmëria e këtij momentumi të rëndësishëm reformash në vendin tonë dhe përafrimi i legjislacionit me acquis e BE, duke nënvizuar se progresi i dukshëm i Shqipërisë në rrugën Europiane kontribuon në stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë dhe më gjërë në Europë”, shkruan Balla.

Ky i fundit theksoi se Shqipëria po bën përparim të dukshëm në avancimin e negociatave, ndërsa shton se asnjëherë vendi ynë nuk ka qenë kaq pranë Bashkimit Evropian.

“Institucionet europiane, Parlamenti dhe vendet anëtare, konfirmojnë se Shqipëria ka bërë dhe po bën një përparim të dukshëm në avancimin e negociatave, duke vijuar përmbushjen e detyrimeve që kemi marrë bashkërisht me Komisionin Evropian.

Jemi shumë afër, madje nuk kemi qenë asnjëherë më afër se kaq dhe do të përmbushim detyrimet tona, të Shqipërisë sonë siç i kemi dakordësuar të gjitha afatet me Komisionin Evropian. Dhe plani i përbashkët do të realizohet një për një plotësisht”, tha Balla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme