Vuçiç bisedë me Von der Leyen: Serbia, e përkushtuar për përshpejtimin e reformave drejt BE-së

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidenten e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, ku në fokus ishin marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian si dhe progresi në rrugën evropiane.
Në një reagim publik, Vuçiç e cilësoi bisedën si “të mirë dhe të hapur”, duke theksuar angazhimin e vendit të tij për përshpejtimin e reformave kyçe. Ai nënvizoi se Serbia do të vijojë zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit, përmirësimin e sistemit gjyqësor dhe forcimin e pavarësisë së institucioneve.
Gjithashtu, presidenti serb bëri të ditur se në qendër të diskutimit ishte edhe zbatimi i ligjeve për median dhe një sërë ligjesh të tjera reformuese, në përputhje me rekomandimet e Komisioni i Venecias.
Sipas Vuçiç, Serbia mbetet e përkushtuar për t’u përafruar me standardet evropiane dhe për të vijuar rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se procesi kërkon punë të vazhdueshme dhe përgjegjësi institucionale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





