Rriten kërkesat për regjistrim në Hoteleri-Turizëm- Mundësi të shumta punësimi në sektorin privat, shtysë kryesore për preferencën

Arsim | 5 muaj më parë

Ka përfunduar shkollën profesionale Hoteleri-Turizëm dhe sot është mësuese në këtë institucion arsimor. Laura gjithmonë e kishte projektuar veten në një shkollë profesionale dhe idenë e saj e bëri realitet me përfundimin e ciklit 9-vjeçar.

Përzgjodhi kuzhinën, por e gjeti veten edhe në shumë degë të tjera të kësaj shkolle. Tashmë, veç punës së saj si mësuese, është e angazhuar edhe si menaxhere në disa kompani private.

“Gjithmonë kam qenë e përgatitur dhe e përkushtuar ndaj mësimeve. Që në shkollën nëntëvjeçare, mësuesit shpesh na sugjeronin të përzgjidhnim shkolla profesionale, pavarësisht se rezultatet e mia ishin shumë të mira. Për këtë arsye, edhe unë u orientova drejt një shkolle të tillë. Në moshën 16-vjeçare u punësova në një ndërmarrje hoteliere në Tiranë dhe që nga ajo kohë përvojat e mia profesionale kanë qenë të vazhdueshme”, tha Laura.

Ndërsa Enxhi po ndjek vitin e fundit në degën e kuzhinës në shkollën Hoteleri-Turizëm. Edhe pse ende nuk është diplomuar, ajo ka mundur të punësohet në një nga hotelet më të njohura në kryeqytet. Maturantja thotë se rrugëtimi i saj në arsim nuk do të përfundojë këtu; ajo do të vijojë studimet e larta për gazetari.

“Është një punë që të jep shumë emocione, sepse kur je në kuzhinë i përjeton të gjitha. Ndjen edhe zhgënjimin në momentin kur një pjatë nuk del ashtu siç duhet. Ndjen ankthin kur një pjatë vonohet më shumë se ç’duhet, por njëkohësisht përjeton edhe një gëzim të madh kur gjithçka shkon sipas planit.
Kuzhina më ka përmbushur shumë si person. Më ka dhënë të gjitha ato pjesë që më mungonin. Duke ditur që shkolla jonë nuk na vendos pengesa për të vazhduar studimet e larta, kam një dëshirë të madhe për t’i ndjekur ato, ndoshta në një degë krejtësisht tjetër jashtë turizmit. Megjithatë, mendoj se kuzhinën nuk do ta lë kurrë”
, tha Enxhi.

Koordinatorja e projekteve në shkollën Hoteleri-Turizëm, Elisa Kita, sqaron se këto vitet e fundit ka një rritje të kërkesës nga vajzat për t’u regjistruar në këtë shkollë.

“Vajzat priren më shumë drejt profilit të shërbimit, qoftë në shërbimin e pijeve, në restorant apo në fusha të tjera, pasi mundësitë janë të shumta. Nuk ka një zgjedhje të vetme apo të prerë që ato preferojnë. Ato kanë mundësinë të studiojnë dhe, pas dy vitesh, të zgjedhin profilin që dëshirojnë të ndjekin”, tha Kita.

Rritja e kërkesës së vajzave për arsim profesional në 3 vitet e fundit është shoqëruar vazhdimisht edhe me rritjen e ofertës për punësim në sektorin privat të hotelerisë.

Gazetar: K.Toroveci    

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme