Tragjedi në Florida, ish-studenti i USF-së akuzohet për vrasjen e shokut të dhomës dhe të dashurës së tij

Amerikë | 5 muaj më parë

Autoritetet në SHBA kanë ngritur akuza të rënda ndaj një ish-studenti të Universitetit të Floridës Jugore (USF), i dyshuar për vrasjen e dy studentëve të doktoraturës nga Bangladeshi, të cilët ishin zhdukur në rrethana misterioze në fillim të muajit prill. Ngjarja ka tronditur komunitetin akademik dhe atë të emigrantëve në Tampa, ndërsa kërkimet për njërin prej trupave vijojnë ende.

Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Hillsborough, shtetasi amerikan Hisham Abugharbieh, 26 vjeç, përballet me dy akuza për “vrasje me paramendim të shkallës së parë me armë”. Viktimat janë identifikuar si Zamil Limon dhe Nahida Bristy, të dy 27 vjeç, të cilët po ndiqnin studimet e doktoraturës dhe kishin plane për martesë.

Zbulimi i krimit dhe arrestimi i autorit

Zbardhja e ngjarjes nisi të premten në mëngjes, kur mbetjet mortore të Zamil Limon u gjetën pranë urës “Howard Frankland”. Megjithatë, fati i Nahida Bristy mbetet zyrtarisht i panjohur, ndonëse policia ka ngritur akuzën e vrasjes edhe për rastin e saj.

Zëvendëskryetari i Qarkut Hillsborough, Joseph Maurer, bëri me dije se arrestimi i Abugharbieh nuk ishte i thjeshtë. Operacioni u zhvillua në shtëpinë e familjes së të dyshuarit, ku ai fillimisht u barrikadua duke refuzuar dorëzimin.

“Një ekip SWAT, i mbështetur nga dronë, robotë dhe negociatorë krize, ndërhyri në banesë përpara se i dyshuari të dilte me duart lart”, raporton policia. Përveç vrasjes, ai akuzohet edhe për manipulim të provave, burgosje të rreme dhe zhvendosje të paligjshme të trupit të pajetë.

Humbje për botën akademike

Viktimat ishin studentë premtues në fushat e tyre. Limon studionte gjeografi dhe politika mjedisore, ndërsa Bristy ishte kandidate për doktoraturë në inxhinieri kimike.

Në një deklaratë zyrtarë, Zëvendëskancelari i Universitetit të Shkencës dhe Teknologjisë Noakhali në Bangladesh, Mohammad Ismail, shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e Bristy-t:

“Vdekja e saj e papritur na ka trishtuar të gjithëve. Ne kërkojmë ndëshkim maksimal për ata që janë përfshirë në këtë krim dhe kompensim për familjen e viktimës.”

E kaluara kriminale e të dyshuarit

Nga verifikimi i dosjeve gjyqësore rezulton se Hisham Abugharbieh nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë. Ai ishte arrestuar më parë për dhunë në familje dhe vjedhje me thyerje, por kishte arritur të shmangte dënimin e rëndë duke u bërë pjesë e një programi rehabilitimi për shkelësit e parë në vitin 2024.

Aktualisht, autoritetet po presin rezultatet e autopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes së Limon, ndërkohë që kërkimet intensive për gjetjen e trupit të Nahida Bristy po vazhdojnë përgjatë zonave bregdetare dhe rrugore të Tampës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme