Lufta me Iranin, Pete Hegseth përballet me Kongresin, zbulohet kostoja prej 25 miliardë dollarësh

Për herë të parë që nga shpërthimi i konfliktit ushtarak me Iranin, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka dëshmuar përpara ligjvënësve amerikanë në një seancë të tensionuar në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.
Seanca u fokusua te legjitimiteti i kësaj lufte, të cilën opozita demokratike e konsideron si një “konflikt zgjedhjeje” të nisur pa autorizimin formal të Kongresit, si dhe te fatura e lartë financiare që po rëndon mbi taksapaguesit amerikanë.
Fatura e pare, 25 miliardë dollarë
Gjatë dëshmisë, nënsekretari në detyrë i mbrojtjes për financat, Jules Hurst III, bëri publik shifrën e parë zyrtare të kostos së luftës. Sipas tij, deri më tani operacionet kanë kushtuar rreth 25 miliardë dollarë.
Hurst specifikoi për ligjvënësit destinacionin e këtyre fondeve:
“Pjesa më e madhe e shpenzimeve është kanalizuar për blerjen e municioneve, por ushtria ka alokuar shuma të konsiderueshme edhe për drejtimin e operacioneve aktive dhe zëvendësimin e pajisjeve të dëmtuara apo të konsumuara.”
Hegseth: Kundërshtari më i madh është disfatizmi në Kongres
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, zgjodhi një linjë agresive mbrojtjeje, duke i cilësuar kritikët e luftës si pengesë për suksesin ushtarak. Sipas tij, retorika politike në Uashington po dëmton pozicionin e SHBA-së në teatrin e luftës.
Në dëshminë e tij, Hegseth deklaroi:
“Sfida më e madhe dhe kundërshtari më i madh me të cilin përballemi në këtë pikë janë fjalët e pamatura, të paepura dhe disfatiste të demokratëve në Kongres dhe disa republikanëve.”
Kritikat e demokratëve: Kjo luftë është absurde
Nga ana tjetër, përfaqësuesi Adam Smith, demokrati më i lartë në këtë komitet, hodhi poshtë pretendimet e Pentagonit se kjo luftë bazohet në realizëm strategjik. Smith kërkoi me ngulm që administrata të qartësojë se cilat janë qëllimet përfundimtare të këtij konflikti.
“E kemi parë koston dhe kjo kosto është shumë, shumë e lartë. Është absurde të pretendosh se kjo strategji është ndërtuar mbi realizëm, kur lufta në Iran duket si e kundërta e tij,” u shpreh Smith gjatë shkëmbimit të batutave me sekretarin Hegseth.
Pavarësisht kritikave, Hegseth insistoi se buxheti rekord i Pentagonit është i domosdoshëm për të mbajtur SHBA-në si fuqinë kryesore ushtarake në një mjedis kërcënimesh komplekse në disa fronte njëkohësisht. Debati në Kongres pritet të vijojë, ndërsa kostoja e konfliktit vijon të rritet dita-ditës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





