Sinani: Sistemi maqedonas e sheh si rrezik të humbjes së shtetit funksionimin e shqipes

Aktualitet | 5 muaj më parë

“Sistemi maqedonas e sheh si rrezik të humbjes së shtetit funksionimin e gjuhës shqipe”, ka deklaruar analisti Arsim Sinani në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “3D”, teksa ka komentuar protestën e studentëve për mbajtjen e provimit në gjuhën shqipe.

Për Sinanin, elitat maqedone nuk janë të përgatitura për një marrëveshje të drejtë, ndërsa vlerësoi rolin e studentëve shqiptarë, të cilët sipas tij po tregojnë një qasje më të avancuar dhe më të guximshme në adresimin e problemeve.

“Një është problemi i elitave. Do të thotë pak a shumë ato elita kanë qarkulluar te shqiptarët e Maqedonisë, do të thotë pak ndryshim në mendësi, për shembull në njerëz të cilët mund të kenë vizion për t’i çuar çështjet përpara. Fatkeqësisht nuk ka arritur ta kuptojë VLEN-i dhe do të duhej që në këtë drejtim të punojë pak më mirë, edhe të vendosë në rikonstruimin e ardhshëm profesionistë të cilët do t’u kundërpërgjigjeshin këtyre problemeve”, u shpreh ai. Fatkeqësisht, te elitat maqedone nuk janë të përgatitura për një marrëveshje të tillë, por ajo që mua më ngroh zemrën janë këta të rinj studentë të cilët kanë performuar jashtëzakonisht mirë… Atëherë si ka mundësi që për 30 vjet nuk janë krijuar elita, ndërsa kemi shumë të rinj të mirë që dinë të ballafaqohen dhe duan t’i zgjidhin problemet”, tha ai.

Duke komentuar protestat e studentëve në Maqedoninë e Veriut, Sinani theksoi se ato po ndikojnë edhe në klasën politike shqiptare, duke shtuar se ekziston një frikë e përgjithshme ndaj zhvillimeve të fundit.

“Sistemi të detyron të flasësh edhe të shkruash maqedonisht pa dëshirën tënde. Por këtu jo pak herë janë fajtorë edhe shqiptarët që nuk i kërkojnë të drejtat e tyre”, tha ai.

Në fund, Sinani u shpreh se sipas tij, sistemi maqedonas e percepton funksionalizimin e gjuhës shqipe si rrezik, duke shtuar se ekziston frika se kjo mund të shihet si kërcënim për shtetin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme