Bashkim historik i shqiptarëve në Mal të Zi, pritet krijimi i “Forumit Shqiptar”

Rajon | 4 muaj më parë

Radiotelevizoni i Malit të Zi duke cituar burime të besueshme, por ende jo zyrtare raporton se partitë politike shqiptare në vendin ballkanik po përgatiten të bashkohen në një subjekt të vetëm politik të quajtur “Forumi Shqiptar”.

Kjo do të ishte hera e parë që do të krijohej një parti e vetme politike shqiptare në nivel shtetëror.

Sipas transmetuesit publik malazez, marrëveshja parashikon bashkimin e Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve dhe Unionit Nacional të Shqiptarëve, ku subjekti i vetëm politik me gjasë do të drejtohet nga Nik Gjeloshaj.

Politikani shqiptar aktualisht shërben si zëvendëskryeministër i Politikave Ekonomike dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik në Mal të Zi, ndërsa më herët ka mbajtur postin e kryetarit të komunës së Tuzit.

Media malazeze raporton se kontribut për këtë bashkim të pritshëm politik kanë dhënë edhe nënkryetari i komunës së Tuzit Ivan Ivanaj dhe kreu i Unionit Nacional të Shqiptarëve Ferhat Dinosha.

Shqiptarët drejtojnë komunën e Tuzit  dhe sipas sondazheve të fundit ka mbështetje në rritje për Forumin Shqiptar edhe në Ulqin, ku kjo forcë politike po konsiderohet një ndër alternativat më të fuqishme në skenën politike lokale, ndërsa synon marrjen e drejtimit të asaj komune pas zgjedhjeve të ardhshme lokale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme