Këlliçi: Jemi kundër bojkotit, nuk është zgjidhja jonë. Ja agjenda nga dita e nesërme

Politikë | 24 minuta më parë

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka deklaruar në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH24 se forumi i lartë i partisë ka vendosur të hedhë poshtë çdo ide për bojkot parlamentar dhe të fokusojë tërësisht agjendën e saj në skandalet e fundit.

Sipas Këlliçit, dy mbledhjet e sotme – ajo e grupit parlamentar dhe ajo e kryesisë – kanë zgjatur gjithsej rreth gjashtë orë e gjysmë dhe kanë pasur në qendër zhvillimet e dy javëve të fundit.

Sapo kemi mbaruar 10 minuta më parë mbledhjen e dytë, ka qenë mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike. Kemi patur dy mbledhje që kanë zgjatur në total rreth gjashtë orë e gjysmë me të dyja këto forume të larta.

Grupin parlamentar të Partisë Demokratike kemi nisur në orën 13 dhe në orën 18 nisëm mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike, ku sigurisht java e fundit apo dyjavëshi i fundit ka qenë kryefjala”, u shpreh Këlliçi.

Ai vuri në dukje se Partia Demokratike nuk ka ndërmend të bojkotojë seancat plenare ndërsa shpjegoi se cila do të jetë agjenda ditën e nesërme në Kuvend.

Ne kemi pasur një debat shumë të gjatë. Është dakordësuar që kjo histori nuk mundet të vazhdojë më ‘business as usual’. Patjetër ne jemi kundër bojkotit. Është hedhur ideja, janë hedhur të gjitha opsionet në tryezë, në tavolinë. Pa diskutim ne e kemi sanksionuar dhe në statut tashmë që bojkoti nuk do të jetë zgjidhja jonë dhe nuk do të jetë më kurrë kundërpërgjigja politike e Partisë Demokratike.

Duke nisur nga dita e nesërme do të ketë vetëm një axhendë në rendin e ditës në parlament që do të jetë skandali më i fundit me Shërbimin Informativ Shtetëror. Kjo nuk është çështje individësh, është çështje institucionesh.

Zyrtarisht janë gjunjëzuar institucionet më të larta të shtetit para këmbëve të krimit të organizuar dhe të grupeve të strukturuara kriminale dhe kjo është një histori që do duhet të ishte shoqëruar që në momentin e parë që u bë publike me dorëheqjen e kryeministrit”, tha Këlliçi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme