Hetim ndaj Roblox në SHBA, autoritetet akuzojnë platformën e lojërave online për dështim në mbrojtjen e fëmijëve

Amerikë | 4 muaj më parë

Shteti amerikan i Konektikatit ka hapur një hetim zyrtar ndaj platformës së njohur të lojërave online Roblox, mes shqetësimeve në rritje për sigurinë e fëmijëve dhe dyshimeve se platforma nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme për t’i mbrojtur ata nga shfrytëzimi online.

Lajmi u bë i ditur nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Konektikatit, e cila njoftoi se hetimi synon të zbardhë se çfarë dinte kompania për rastet e raportuara të abuzimit ndaj të miturve, si dhe nëse ka përfituar financiarisht nga aktiviteti i përdoruesve të mitur në platformë.

Prokurori i Përgjithshëm i Konektikatit, William Tong, deklaroi se Roblox ka krijuar një ambient virtual ku, sipas tij, predatorët online kanë mundur të veprojnë lirshëm duke rrezikuar sigurinë e fëmijëve.

“Roblox ka ndërtuar një terren virtual për predatorët online”, u shpreh Tong, duke akuzuar kompaninë se nuk ka bërë mjaftueshëm për të parandaluar rastet e shfrytëzimit dhe komunikimeve të papërshtatshme ndaj përdoruesve të mitur.

Sipas autoriteteve amerikane, hetimi do të fokusohet në dokumente dhe të dhëna që lidhen me përdoruesit në Konektikat, mënyrën si platforma fiton të ardhura nga të miturit, kohën që fëmijët kalojnë online, si edhe mekanizmat e sigurisë që Roblox pretendon se ka vendosur për mbrojtjen e tyre.

Në qendër të verifikimeve janë edhe monedha virtuale “Robux”, komunikimet mes përdoruesve dhe përmbajtjet që konsiderohen të papërshtatshme për fëmijët dhe adoleshentët.

Nga ana tjetër, Roblox reagoi duke deklaruar se po bashkëpunon plotësisht me autoritetet dhe se kompania ka forcuar masat e sigurisë gjatë viteve të fundit. Sipas kompanisë, janë shtuar kontrollet prindërore, verifikimi i moshës dhe kufizimet për komunikimin mes përdoruesve.

Platforma Roblox, e përdorur nga miliona fëmijë dhe adoleshentë në mbarë botën, është përballur edhe më parë me kritika dhe procese ligjore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me mbrojtjen e të miturve në internet dhe menaxhimin e përmbajtjeve online.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme