Rama: Shqipëria në fazën e fundit të integrimit europian, 26 maji një ditë historike
Kryeministri Edi Rama ka komentuar në podkastin e tij “Flasim” mëngjesin e së dielës, më 31 maj, duke u ndalur tek zhvillimet kryesore të javës së fundit, me theks të veçantë tek procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Rama e cilësoi datën 26 maj si momentin më të lartë të arritur ndonjëherë nga vendi në rrugëtimin europian.
“Shqipëria u ngjit në pikën më të lartë ndonjëherë, tanimë maja ku do të ngjitemi dhe do vendosim flamurin kuqezi, duke i dhënë kuptim një historie të gjatë ëndërrimi për BE. Është moment jashtëzakonisht kuptimplotë dhe certifikim absolut i një pune të palodhur, të një kohe të gjatë. Ky nuk është thjesht një sukses në rrugën e negociatave, por një rezultat i transformimeve të thella që vendi ynë ka bërë në dekadën e fundit,” – theksoi ai.
Kryeministri solli në vëmendje edhe simbolikën e datës, duke e krahasuar me 26 majin e vitit 1996, kur opozita u përball me dhunë, gjakderdhje dhe manipulim zgjedhjesh.
“Tridhjetë vjet më pas, më 26 maj 2026, Shqipëria hyri në fazën e fundit të rrugëtimit europian, duke mbyllur fazën e hapjes së kapitujve të negociatave dhe duke nisur fazën e mbylljes së tyre,” – tha Rama, duke e cilësuar këtë si një ironi të fatit dhe një buzëqeshje të historisë.
Sipas tij, ky moment është një provë e përgjegjësisë së madhe që i takon vendit, pasi integrimi nuk është vetëm një proces formal, por një reflektim i reformave dhe transformimeve të kryera në dekadën e fundit.
Lajmi në zhvillim….
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





