Ministri Hoxha vizitë zyrtare në Kosovë: Tirana dhe Prishtina ndajnë të njëjtat objektiva shtetërore
Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha zhvilloi këtë të diel një vizitë zyrtare në Kosovë ku takoi kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, ushtruesen e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu dhe homologun e tij Glauk Konjufca.
Përmes një deklarate për mediat ku zbuluan detaje të takimit, dy homologët Hoxha dhe Konjufca theksuan se takimet janë vëllazërore dhe se Kosova dhe Shqipëria ndajnë të njëjtat objektiva shtetërore dhe kombëtare.
“Kosova është prioritet absolut i politikës sonë të jashtme. Është një dimension i qartë dhe i pandryshueshëm i shtetit shqiptar, i qeverisë shqiptare dhe i shtetit shqiptar. Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi të drejtpërdrejtë për Shqipërinë në një lidhje të ndërsjellë të pandashme sepse përparimi i Republikës së Kosovës dhe ai i Shqipërisë e krah për krah.” — u shpreh Ferit Hoxha, Ministër i Jashtëm, Shqipëri.
“Në këto kohë të paqëndrueshmërive globale koordinimi mes shteteve tona është një domosdoshmëri jetike. Krahas orientimit eurointegrues të shteteve të rajonit, anëtarësimi në NATO i shumicës së shteteve në rajonin tonë konkludojmë të gjithë që ka qenë faktori i stabilitetit. Në këtë drejtim i kërkova ministrit Hoxha mbështetjen e Shqipërisë për aspiratën tonë për një afrim dhe anëtarësim më të shpërshpejtuar të Kosovës në NATO.” — theksoi Glauk Konjufca, Ministër i Jashtëm, Kosovë.
Ministrat theksuan më tej se diskutuan edhe për çështje të bashkëpunimit rajonal, mbështetjen për diasporën shqiptare, projektet infrastrukturore mes dy vendeve dhe thellimin e bashkëpunimit ndërqeveritar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




