Macron: Franca do ta mbështesë Malin e Zi në fazën e fundit të rrugës së tij drejt BE-së

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Mali i Zi ka zbatuar reforma të rëndësishme me vendosmëri evropiane, duke e cilësuar këtë si një mundësi të madhe për Evropën.
Macron ndodhet për vizitë zyrtare në Mal të Zi – e para e një presidenti francez në këtë vend – vetëm një ditë përpara Samitit BE–Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tivat.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin malazez Jakov Milatović, Macron tha se,
“Ne duam të zhvillojmë në mënyrë ambicioze bashkëpunimin dhe miqësinë me Malin e Zi. Do të nënshkruajmë marrëveshje të rëndësishme për energjinë, mbrojtjen dhe ndërtimin e spitaleve. Kjo përfshin edhe Qendrën për Zhvillimin e Kapaciteteve Kibernetike në Podgoricë.”
Ai theksoi se Franca do të mbetet në krah të Malit të Zi në fazën e fundit të rrugës drejt anëtarësimit në BE, duke përgëzuar reformat e kryera dhe mbylljen e kapitujve të negociatave.
Macron vlerësoi se Mali i Zi ka forcën për të ruajtur identitetin dhe sovranitetin e tij, duke e parë këtë si një vlerë për integrimin evropian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




