Eksplorojnë Shqipërinë me motorë, dhjetë motoristë nga Gjermania për herë të katërt në vendin tonë
Për shumicën prej tyre kjo është vizita e katërt në Shqipëri. Një grup prej 10 turistësh gjermanë, të apasionuar pas udhëtimeve me motor, kanë zgjedhur sërish vendin tonë për pushimet e tyre. Kësaj radhe ata kanë vendosur të eksplorojnë zona të reja, të cilat nuk kanë pasur mundësi t’i vizitojnë në vitet e kaluara.
“Jam Petra dhe vij nga Gjermania. Përfaqësoj një agjenci udhëtimesh me motor. Prej katër vitesh vijmë rregullisht në Shqipëri. Këtë herë jemi një grup prej 10 personash, ndërsa vitin e kaluar ishim 12. Shqipëria është një vend shumë i bukur. Mbi të gjitha na kanë lënë mbresa malet, të cilat janë vërtet përrallore. Edhe Valbona ishte jashtëzakonisht e bukur dhe na pëlqeu shumë.”
Ndërsa Lipnik vjen për herë të dytë në Shqipëri. Ai tregon se ishte pikërisht rekomandimi i miqve shqiptarë që jetojnë në Gjermani që e bindi ta vizitonte vendin tonë. Ajo që i ka lënë më shumë përshtypje është gastronomia shqiptare.
“Ushqimi është shumë i shijshëm. E dashuroj. Kam provuar disa gatime, por mishi ka një shije shumë të mirë. Miqtë e mi shqiptarë në Gjermani ma sugjeruan të vizitoja Shqipërinë dhe vendosa ta bëj.”
Edhe Manser ndalet te mikpritja dhe bujaria e shqiptarëve. Ai thotë se, pavarësisht moshës 76-vjeçare, vazhdon të udhëtojë me motor dhe të eksplorojë natyrën, ndërsa vë në dukje përmirësimin e infrastrukturës rrugore në vend.
“Shqipëria është një vend shumë i bukur. Edhe pse jam 76 vjeç, më pëlqen të eksploroj natyrën me motor. Një ndryshim që kam vënë re është përmirësimi i rrugëve, i cili e bën udhëtimin edhe më të këndshëm.”
Ky sezon turistik po shënohet nga një rritje e ndjeshme e vizitorëve gjermanë në Shqipëri. Gjithnjë e më shumë turistë nga Gjermania po zgjedhin vendin tonë, të tërhequr nga natyra, mikpritja dhe gastronomia.
Operator: Urim Bajraktari
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





