Ansambli i Kavajës gjallëron Gjirokastrën, muzikë tradicionale dhe valle në rrugët e kalldrëmta
Ansambli i Kavajës solli atmosferë festive në Pazarin karakteristik të Gjirokastrës, ku mbrëmjen e djeshme performoi përpara dhjetëra qytetarëve dhe turistëve.
Tingujt e muzikës tradicionale dhe vallet popullore tërhoqën vëmendjen e të pranishmëve, duke krijuar një mbrëmje të veçantë në zemër të qytetit të gurtë.
Përfaqësues të ansamblit u shprehën se Gjirokastra mbetet një nga qytetet ku rikthehen me kënaqësi, duke theksuar se nuk është hera e parë që performojnë në qytet. Sipas tyre, çdo dalje në skenë është një mundësi për të sjellë më pranë publikut vlerat dhe traditat e pasura të krahinës së tyre.
“Ne sjellim të gjitha të mirat për Gjirokastrën jo sot, por prej vitesh, sepse unë në Gjirokastër kam ardhur që 14 vjeç dhe kam kënaqësinë që vijmë prapë. Jemi shumë të lumtur që vijmë në Gjirokastër, sepse Gjirokastra është një vend ku mund të vish përditë dhe nuk ngopesh.” “Kemi sjellë disa gjëra nga folklori i përgjithshëm i vendit tonë. Mendojmë që kemi sjellë diçka të bukur.”
Kjo performancë erdhi në kuadër të 21-vjetorit të përfshirjes së Gjirokastrës në UNESCO, një përvjetor që është shoqëruar me aktivitete të ndryshme kulturore të organizuara nga Bashkia. Qëllimi është promovimi i trashëgimisë kulturore dhe rritja e interesit turistik për qytetin.
“Do të jetë një mbrëmje fantastike. Ka qytetarë dhe turistë të shumtë të cilët janë bërë pjesë e këtij aktiviteti, ku kemi nisur në qafën e pazarit karakteristik dhe tashmë jemi, le të themi, pozicionuar në skenën e ngritur enkas për këtë aktivitet me rastin e 21-vjetorit të Gjirokastrës në UNESCO.” – u shpreh Dorina Muho, Drejtoreshë e Agjencisë së Aktiviteteve dhe Turizmit.
Mbrëmja e kaluar u kthye në një pikëtakim mes traditës dhe turizmit, ku të huajt dhe vendasit u bënë pjesë e të njëjtës atmosferë festive.
Evente të tilla po kontribuojnë në gjallërimin e jetës artistike dhe në forcimin e imazhit të Gjirokastrës si një destinacion i rëndësishëm kulturor.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





