Drejt përfundimit shëtitorja e re e Ksamilit, Rama: Transformohet një nga hapësirat më të frekuentuara të jugut

Turizëm | 2 muaj më parë

Shëtitorja e re e Ksamilit po shkon drejt përfundimit, duke sjellë një transformim të dukshëm të një prej hapësirave publike më të frekuentuara në jug të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga projekti, duke e cilësuar si një hapësirë moderne dhe funksionale, e cila do të shërbejë si destinacion i ri për banorët dhe vizitorët që zgjedhin jugun e vendit. 

“Drejt përfundimit Shëtitorja e re e Ksamilit. Një tjetër hapësirë publike e shumëpritur dhe cilësore për çdo vizitor që zgjedh këtë perlë të Shqipërisë”

Punimet përfshijnë sistemimin e plotë të shëtitores, shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, ndriçimin modern, mobilimin urban dhe krijimin e ambienteve të reja për rekreacion.

Ky investim synon jo vetëm të përmirësojë cilësinë e jetës për komunitetin lokal, por edhe të rrisë potencialin turistik të Ksamilit, i cili prej vitesh është një nga destinacionet më të vizituara të Rivierës Shqiptare. 

Përveç shëtitores, po zgjerohet edhe rruga hyrëse në Ksamil, një ndërhyrje e domosdoshme për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve gjatë sezonit veror, kur fluksi i vizitorëve është i lartë.

Projekti përfshin trotuare panoramike dhe korsi biçikletash që shtrihen deri te kryqëzimi për plazhin e Pulëbardhës, duke ofruar një infrastrukturë më të sigurt dhe të aksesueshme. 

Ksamili, shpesh i cilësuar si “Maldivet e Europës” për shkak të plazheve me rërë të bardhë dhe ujërave kristal të kaltër, mbetet një nga perlët e turizmit shqiptar.

I vendosur mes qytetit të Sarandës dhe Parkut Kombëtar të Butrintit – pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s – ky destinacion ofron një kombinim unik të natyrës, historisë dhe relaksit. 

Me përfundimin e shëtitores dhe rrugës së re, Ksamil pritet të pasurojë më tej ofertën turistike të bregdetit shqiptar, duke u shndërruar në një hapësirë moderne, të gjelbër dhe funksionale, që do të tërheqë edhe më shumë vizitorë vendas e të huaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme