Turizëm dhe bujqësi, në Malësi të Madhe dyfishohet sipërfaqja e kultivuar me duhan

Turizëm | 2 muaj më parë

Bujqësia mbetet një nga sektorët kryesorë të zhvillimit ekonomik në Malësinë e Madhe.

Drejtuesit e Bashkisë e konsiderojnë mbështetjen e fermerëve dhe zgjerimin e sipërfaqeve të kultivuara si një ndër prioritetet kryesore të institucioneve vendore.

Sipas nënkryetarit të Bashkisë, gjatë dy viteve të fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të sipërfaqeve të mbjella me duhan për shkak të kërkesës së lartë në treg dhe çmimit të favorshëm.

“Kultura e duhanit ka qenë një ndër kulturat e hershme që është kultivuar në territorin e bashkisë Malësi e Madhe, sidomos në zonat e njësisë administrative Grumirë, njësisë Qendër dhe njësisë së Kastratit. Fermerët, duke pasur parasysh edhe çmimet e tregut të duhanit, po orientohen drejt kësaj kulture.” theksoi për RTSH, Sytki Ndrecaj, zëvendëskryetar i Bashkisë Malësi e Madhe.

Paralelisht me zgjerimin e kultivimit të duhanit, një vend të rëndësishëm në ekonominë bujqësore të zonës vazhdojnë të zënë bimët aromatike dhe medicinale. Edhe pse vitet e fundit prodhimi ka shënuar rënie, si pasojë e uljes së çmimeve në tregjet e eksportit, kjo kulturë mbetet një nga burimet kryesore të të ardhurave për shumë fermerë.

“Ajo që e dominon sipërfaqet e mbjelljes në gjithë territorin e bashkisë së Malësisë së Madhe janë bimët aromatiko–mjekësore, të cilat pavarësisht problematikave nuk e kanë humbur interesin, por përkundrazi kanë insistuar që të rregullojnë tregun. Po krijohet një mundësi që t’i jepet një shtysë tjetër fermerëve edhe nëpërmjet subvencionimeve, të cilat do të ndikojnë jo vetëm për vetë dhe familjet e tyre, por edhe në tregun e brendshëm dhe tregun e jashtëm.”

Malësia e Madhe vijon të jetë zona kryesore në Shqipëri për kultivimin dhe grumbullimin e bimëve aromatike e medicinale. Kushtet e favorshme klimatike dhe tradita shumëvjeçare kanë bërë që ky sektor të mbetet një nga të ardhurat kryesore ekonomike për shumicën e familjeve në këtë zonë.

Gazetar: A. Hoti


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme