Labova e Kryqit, një thesar turistik mes historisë dhe bukurive natyrore
Labova e Kryqit në Bashkinë e Libohovës vijon të mbetet një nga fshatrat më të vizituar të zonës, falë historisë së saj, kishës së njohur dhe mikpritjes së banorëve.
Vlerat kulturore dhe tradita e këtij fshati e kanë kthyer atë në një pikë të rëndësishme për turistët vendas dhe të huaj.
Vizitorët që mbërrijnë në Labovën e Kryqit nuk ndalen vetëm te monumentet historike, por zgjedhin të eksplorojnë edhe natyrën përreth.
Një nga mënyrat më të veçanta të përjetimit të zonës është udhëtimi me kuaj, një eksperiencë që e bën më të veçantë qëndrimin e turistëve.
“Ne kemi eksploruar të gjithë zonën me kuaj, kështu që kemi parë shumë gjëra të bukura që njerëzit e tjerë nuk i shohin. Nuk kemi nevojë të flasim shumë, thjesht e ndjekim udhërrëfyesin.” – u shpreh një prej turistëve të huaj.
Ndërsa një tjetër tha për RTSH se, “Kam lexuar për historinë e Shqipërisë në guida dhe kam mësuar se shqiptarët kanë kaluar shumë vështirësi në vite. Forca dhe mikpritja e njerëzve janë një frymëzim edhe për njerëzit nga vendet e tjera. Labova është e bukur nga vetë natyra që ka. Më pëlqejnë shumë malet. Mendoj se Shqipëria është një vend i jashtëzakonshëm, me një histori shumë interesante dhe me njerëz shumë të fortë. Pjesa ime e preferuar janë njerëzit, sepse janë shumë mikpritës.”
Sipas specialistit të turizmit, zonat rurale të Bashkisë së Libohovës po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje nga vizitorët e huaj. Për të lehtësuar lëvizjen turistike dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës së banorëve, bashkia ka ndërhyrë me investime në këto zona.
“Për pjesën e Nepravisht sigurisht që është riasfaltuar rruga e Nepravisht dhe është bërë më e aksesueshme. Gjithashtu edhe Zagoria tashmë po vihet në ujë e gjithë rruga e saj, duke qenë se me këto investimet e fundit mund të aksesohet akoma më mirë duke hyrë edhe nga fusha e Çajupit.” – tha Arjan Çano, specialist i turizmit në Bashkinë Libohovë.
Kombinimi i trashëgimisë historike, bukurive natyrore dhe traditave vendase po e pozicionon Libohovën si një destinacion me potencial të rëndësishëm për turizmin rural. Rritja e numrit të vizitorëve sjell mundësi të reja për zhvillimin ekonomik të komuniteteve lokale.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





