Potenciali i Nikaj-Mërturit, Gonxhja: Bashkëpunimi me sipërmarrësit lokalë, çelësi për zhvillimin e qëndrueshëm të Alpeve

Turizëm | 2 muaj më parë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka evidentuar potencialin e jashtëzakonshëm turistik të zonës së Nikaj-Mërturit, duke e cilësuar atë si një nga pikat më strategjike për zhvillimin e turizmit malor në vend. Përmes një mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, kreu i dikasterit të Turizmit ndau detaje nga një takim i zgjeruar pune i zhvilluar drejtpërdrejt me operatorët ekonomikë lokalë, ku u analizuan sfidat konkrete të këtij destinacioni alpin.

Takimi bëri bashkë administratorë bujtinash, pronarë hotelesh dhe guida turistike që operojnë në terren, me synimin për të ndërtuar një plan veprimi që integron rritjen ekonomike me ruajtjen e mjedisit. Ministri Gonxhja nënvizoi se Nikaj-Mërturi mbart vlera të rralla natyrore që kërkojnë vëmendje dhe menaxhim të kujdesshëm.

“Nikaj-Mërturi është një nga thesaret më të vyera të Alpeve Shqiptare dhe një zonë me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit malor. Gjatë takimit me administratorë bujtinash, hotelesh dhe guida turistike, u diskutua mbi sfidat, mundësitë dhe hapat që duhen ndërmarrë për ta kthyer këtë potencial në zhvillim të qëndrueshëm,” shprehet Blendi Gonxhja.

Mbrojtja e natyrës dhe trashëgimisë kulturore

Sipas ministrit, suksesi i politikave të reja kombëtare në turizëm varet drejtpërdrejt nga përfshirja aktive e banorëve dhe bizneseve të zonës. Kjo qasje siguron që të ardhurat financiare nga fluksi i vizitorëve të përkthehen në mirëqenie për komunitetin lokal, pa cenuar identitetin dhe ekosistemin e Alpeve.

Në postimin e tij, Gonxhja vuri në dukje rëndësinë e këtij partneriteti:

“Vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin dhe sipërmarrësit lokalë mund të ndërtojmë politika që mbrojnë natyrën, promovojnë trashëgiminë kulturore dhe krijojnë më shumë mundësi ekonomike për banorët, duke e bërë Nikaj-Mërturin një destinacion gjithnjë e më tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj.”

Zona e Nikaj-Mërturit po njeh një vëmendje në rritje nga turistët aventurierë dhe dashuruesit e natyrës e të ektroturizmit, ndërsa investimet në infrastrukturën mbështetëse dhe trajnimi i guidave lokale shihen si hapat emergjentë për të përballuar fluksin e sezoneve të ardhshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme