PDK këmbëngul për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Çitaku: Është krijuar situatë të rëndë
Partia Demokratike e Kosovës këmbëngul për vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e cila është ndërprerë më 6 gusht.
Deputetja dhe sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka kërkuar sërish kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që të vijojë procesin e konstituimit të Kuvendit.
Çitaku ka deklaruar se zvarritja e procesit po krijon një situatë të rëndë institucionale dhe po cenon respektimin e Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Moskonstituimi i Kuvendit ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Çitaku.
Kërkesa e PDK-së për vazhdimin e seancës ishte bërë edhe të shtunën, përmes nënkryetarit të kësaj partie, Uran Ismaili.
Megjithatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ka kundërshtuar mundësinë e thirrjes së seancës pa një marrëveshje politike mes subjekteve. Dehari argumentoi se një hap i tillë do të mund të thellonte edhe më tej tensionet politike.
“Çdo përpjekje për të thirrur seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit”, u shpreh Dehari.
Përplasja politike për konstituimin e Kuvendit vjen në një kohë kur partitë nuk kanë arritur ende një marrëveshje për zgjidhjen e ngërçit institucional.
Ndërkohë, PDK-ja dhe AAK-ja kanë refuzuar më herët ftesën e presidentes në detyrë, Albulena Haxhiu, për t’u ulur në bisedime ditën e martë. Takimi ishte propozuar me qëllim gjetjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Në këtë situatë, palët vijojnë të kenë qëndrime të kundërta, PDK kërkon rikthimin në Kuvend dhe vazhdimin e procesit të konstituimit, ndërsa kryesuesi Avni Dehari e lidh vazhdimin e seancës me arritjen paraprake të një marrëveshjeje politike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





