Situata me zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes raporton 27 vatra, prej të cilave 8 mbeten aktive

Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike përditësimin më të fundit mbi situatën e zjarreve në vend.
Deri në orën 20:00 të datës 16 gusht 2026, në territorin e Shqipërisë janë regjistruar 27 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive dhe 4 janë në monitorim.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 487 forca operacionale dhe 30 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre janë vendosur edhe 100 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Vatrat kryesore aktive vijojnë të jenë në Dajt, Gurë-Lurë, Qafë Helmes, Bruç, Lufaj, Fushë-Lajë dhe Rrjoll.
Sipas përditësimit të fundit, në Dajt ndërhyrja vijon me 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ministria e Mbrojtjes informon se, në Gurë-Lurë vijon një angazhim i gjerë i forcave bashkiake, MZSH-së, policisë, ADZM-së, vullnetarëve dhe 50 efektivëve të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Korridoret e hapura në terren kanë penguar afrimin e flakëve drejt banesave dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Lufaj të Mirditës vijon puna e forcave në terren, me mbështetjen e një helikopteri të Forcave të Armatosura. Ndërkohë, zjarri në Tharri është vënë nën kontroll.
Në Zhejë të Kurbinit, zjarri është fikur plotësisht pas ndërhyrjes së MZSH-së, forcave bashkiake, policisë dhe një helikopteri të Forcave të Armatosura.
Në Fushë-Lajë të Pukës zjarri mbetet aktiv, por me intensitet të ulët dhe pa paraqitur rrezik për zonat e banuara. Në Rrjoll, situata po monitorohet nga afër, përfshirë edhe përmes përdorimit të dronëve.
Autoritetet vijojnë operacionet në terren për shuarjen dhe monitorimin e vatrave të zjarrit, ndërsa situata mbetet nën vëzhgim të vazhdueshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





