PDK vazhdon aksionin para Qeverisë, letër Deharit: Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës të mbahet nesër

Kosovë | 2 muaj më parë

Partia Demokratike e Kosovës i ka kërkuar sërish kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që seanca e Kuvendit të vazhdojë nesër, më 18 gusht, në orën 11:00.

Në një letër të nënshkruar nga deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, thuhet se kryesuesi duhet të përmbushë detyrimet kushtetuese dhe procedurale për të vijuar procesin e konstituimit të Kuvendit.

PDK argumenton se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar, sipas saj, një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Duke u mbështetur në Nenin 9 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, në emër të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, kërkojmë nga ju që të përmbushni obligimin tuaj kushtetues dhe procedural dhe që, më 18 gusht 2026, në ora 11:00, të thirrni vazhdimin e seancës konstituive”, shkruhet në letër.

PDK thotë gjithashtu se përgjegjësia e kryesuesit është të mundësojë zhvillimin e seancës deri në përfundimin e procesit dhe se vendimmarrja nuk duhet të bazohet në konsiderata politike.

Krahas kërkesës për vazhdimin e seancës, PDK ka vazhduar edhe sot, 17 gusht, aksionin e saj para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Deputetja Eliza Hoxha tha se përmes këtij aksioni synojnë t’i bëjnë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të kthehet në Kuvend dhe të kontribuojë në përfundimin e procesit të konstituimit.

Sipas Hoxhës, Kurti duhet të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe të krijojë mundësinë për funksionalizimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.

“Kurti duhet ta kuptojë që, në vend se ta sabotojë Kuvendin, ai duhet të vijë aty dhe të krijojë mundësi për ta konstituuar Kuvendin. Ajo është puna e tij parësore që duhet ta bëjë si fitues i zgjedhjeve të fundit: ta propozojë emrin dhe të ecim përpara në themelimin e institucioneve”, tha ajo.

Ndërkohë, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje ndërmjet partive politike.

Dehari ka paralajmëruar se vazhdimi i seancës pa një marrëveshje politike mund të rrisë tensionet dhe rrezikun e përplasjeve brenda Kuvendit.

Kuvendi i Kosovës vijon të mbetet i pakonstituuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Deputetët kanë dhënë betimin, por procesi ka ngecur në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme