Sëmundjet e bagëtive në verë, karantina për blerjet e reja, e rëndësishme për mbrojtjen e tufës

Bujqësi | 2 muaj më parë

Gjatë periudhës së verës, rritet rreziku për shfaqjen dhe përhapjen e sëmundjeve te bagëtitë, ndaj shërbimi veterinar u bën apel fermerëve të tregojnë më shumë kujdes me kafshët dhe sidomos me blerjet e reja. Temperaturat e larta, lëvizja e shtuar e bagëtive dhe tregtimi i tyre mund të krijojnë kushte për përhapjen e sëmundjeve nga një tufë në tjetrën.

“Që nga viti i kaluar e deri më sot, vendi ynë vazhdon të jetë nën kërcënimin e sëmundjeve infektive të imtave, siç janë PPR, linja dhe të tjera, si edhe ‘gjuhën blu’. Veç murtajës, shumë kërcënuese në Kosovë dhe në Serbi është linja e dhënëve. Linja e dhënëve është pothuajse e njëjtë me murtajën, por shfaqet me shenja të ndryshme, si pulla në trup dhe të tjera. Njoftimi sapo ka ardhur.” – theksoi për RTSH Bajram Peposhi, Përgjegjës i Shërbimit Veterinar.

Pas kthimit nga tregu i bagëtive, fermerët nuk duhet t’i bashkojnë menjëherë kafshët e reja me tufën ekzistuese. Ato duhet të vendosen në një hapësirë të veçantë, të pastër dhe të përshtatshme, duke respektuar një periudhë karantine, gjatë së cilës mund të monitorohet gjendja e tyre shëndetësore.

“Ka fermerë që janë më pak të kujdesshëm. Për shembull, një fermer që del në treg me një pjesë të mirë të prodhimit, pjesët që mbeten nuk duhet të kthehen më në stallë dhe të përzihen me tufën. Ato duhet të hyjnë në karantinë, me një strehim të veçantë, minimalisht për 21 ditë.”

Autoritetet veterinare theksojnë se parandalimi dhe zbulimi në kohë janë të rëndësishme jo vetëm për shëndetin e kafshëve, por edhe për mbrojtjen e ekonomisë së fermerëve.

Gazetare: Irda Bajraktari

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme