Siguria ushqimore, miratohet rregullorja e re për certifikimin dhe lëvizjen e produkteve shtazore

Bujqësi | 2 muaj më parë

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka miratuar një rregullore të re që vendos kërkesa të rrepta për shëndetin e kafshëve, certifikimin dhe njoftimin paraprak mbi lëvizjet e produkteve me origjinë shtazore nga kafshët tokësore.

Urdhri plotëson kuadrin ligjor për shëndetin e kafshëve dhe synon të unifikojë standardet shqiptare me ato të Bashkimit Evropian, veçanërisht për ngarkesat që vijnë nga zona nën masa emergjente apo kufizime lëvizjeje.

Kufizimet dhe autorizimet për operatorët

Sipas rregullores së re, operatorët e biznesit ushqimor nuk do të mund të lëvizin ngarkesa të produkteve shtazore nga zona apo stabilimente që i nënshtrohen masave të urgjencës veterinare pa një miratim zyrtar.

“Operatorët lëvizin ngarkesat e produkteve me origjinë shtazore nga kafshët tokësore që i nënshtrohen masave të emergjencës ose kufizimeve të lëvizjes vetëm nëse lëvizje të tilla autorizohen nga autoriteti kompetent i vendit të origjinës,” përcaktohet në nenin 2 të urdhrit.

Informacioni i detyrueshëm në certifikatën shëndetësore

Rregullorja detajon një seri të dhënash që duhet të përmbajë çdo certifikatë shëndetësore veterinare që shoqëron këto produkte. Dokumentacioni duhet të specifikojë qartë: Përshkrimin e produktit, mish i freskët, produkte mishi, qumësht i papërpunuar, vezë, apo produkte të përbëra; gjurmueshmërinë, specien e kafshës, vendin e origjinës së lëndës së parë, datën e prodhimit dhe llojin e trajtimit të aplikuar; detajet e emergjencës, emrin e sëmundjes që ka shkaktuar kufizimet në zonën e dërgimit dhe bazën ligjore të autorizimit.

Plan paralel për avaritë teknike (TRACES)

Urdhri parashikon gjithashtu procedura specifike të emergjencës në rastet kur sistemi elektronik i monitorimit (TRACES / IMSOC) përballet me shkëputje të energjisë elektrike apo probleme teknike. Në këto raste, autoritetet kompetente do të zbatojnë protokollin alternativ për të mos bllokuar lëvizjen e ligjshme të mallrave.

Zbatimi i këtij urdhri u është ngarkuar Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, si dhe drejtorive përkatëse në ministri. Ndonëse dokumenti hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare, zbatimi i tij praktik në terren do të nisë më 1 gusht 2027.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme