3 miliardë euro për mbrojtjen ajrore, Greqia nënshkruan marrëveshjen historike me Izraelin
Greqia dhe Izraeli kanë nënshkruar një marrëveshje të madhe në fushën e mbrojtjes, me vlerë rreth 3 miliardë euro, për krijimin e sistemit të avancuar ajror “Achilles Shield”.
Marrëveshja parashikon ndërtimin e një rrjeti mbrojtës me disa shtresa, të aftë për t’u përballur me raketa, avionë dhe dronë.
Në këtë sistem do të përfshihen teknologji izraelite si David’s Sling, Barak MX dhe SPYDER, së bashku me radarë për mbikëqyrjen e hapësirës ajrore.
Paketa përfshin gjithashtu një sistem të ri kombëtar për komandimin dhe kontrollin e forcave të mbrojtjes.
Sipas Ministrisë izraelite të Mbrojtjes, kjo është një nga marrëveshjet më të mëdha të eksportit ushtarak në historinë e Izraelit dhe kontrata më e madhe e mbrojtjes mes dy vendeve.
Athina e konsideron këtë investim pjesë të reformës më të madhe të forcave të saj të armatosura, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, ka deklaruar se zhvillimet e shpejta teknologjike kanë vënë në pikëpyetje shumë nga doktrinat tradicionale të sigurisë.
Krahas marrëveshjes kryesore, Greqia ka firmosur edhe një kontratë tjetër prej 26 milionë eurosh për furnizimin me sisteme kundër dronëve.
Marrëveshja vjen në një periudhë kur tensionet dhe shqetësimet për sigurinë në rajon mbeten të larta, veçanërisht në raportet mes Greqisë dhe Turqisë.
Në këtë klimë, Athina dhe Tel Avivi po thellojnë më tej bashkëpunimin ushtarak dhe atë në industrinë e mbrojtjes, duke e konsideruar sigurinë rajonale një interes të përbashkët.
Me sistemin “Achilles Shield”, Greqia synon të forcojë ndjeshëm mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore dhe të përballet me kërcënimet e reja që po ndryshojnë shpejt natyrën e luftës moderne.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




