Nga gjobat për dhunë, burg për maskat dhe deri në 2 vite burg për armët në protesta, çfarë ndryshon në paketën e re ligjore

Politikë | 43 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të diel, paketën e re ligjore kundër dhunës në protesta, e cila synon të forcojë masat ndaj akteve të dhunshme gjatë tubimeve, të mbrojë pronën publike e private dhe të vendosë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara.

Paketa e re me gjashtë instrumente ligjore parashikon dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara, gjoba për pjesëmarrësit në tubime të dhunshme, masa ndaj thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale dhe ndryshime në Kodin Penal.

Sipas Ramës, parimi bazë i paketës është se protesta paqësore mbrohet, ndërsa dhuna dhe dëmtimi i pronës ndëshkohen. Masat e propozuara, sipas kryeministrit, nuk synojnë të kufizojnë lirinë e shprehjes dhe të tubimit, por të ndëshkojnë sjelljet e dhunshme dhe pasojat e tyre.

Çfarë përfshin paketa e re ligjore

  1. Dëmshpërblim për bizneset e dëmtuara, deri në 100% të humbjeve

Instrumenti i parë parashikon mbështetje të menjëhershme financiare për bizneset e vogla që kanë pësuar dëme nga thyerjet, grabitjet, zjarret dhe akte të tjera gjatë protestave. Sipas paketës së prezantuar, shteti do të mbulojë nga 100% të dëmeve materiale për bizneset më të vogla deri në një minimum prej 70% për bizneset më të mëdha, sipas kritereve të përcaktuara. Skema do të zbatohet për bizneset me xhiro vjetore deri në 140 mijë euro.

Bizneset që kanë dorëzuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve aplikimet dhe dokumentacionin për dëmet e pësuara nuk do të duhet të presin përfundimin e proceseve gjyqësore për të përfituar dëmshpërblimin.

Ndërkohë, personat që kanë shkaktuar dëmet do të mbajnë përgjegjësi financiare për pjesën që u takon, sipas përcaktimeve ligjore. Për dëmet e shkaktuara nga të miturit, përgjegjësia për pagesën e tyre do t’u kalojë prindërve, sipas parashikimeve përkatëse.

  1. “Kush thyen, paguan”: Gjobë deri në 500 mijë lekë

Instrumenti i dytë është një ligj i posaçëm për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga aktet e dhunës dhe dëmtimi i pronës gjatë tubimeve. Sipas Ramës, ligji synon të vendosë parimin që dëmi të mos rëndojë vetëm mbi buxhetin e shtetit dhe taksapaguesit.

Sipas kryeministrit, përgjegjësia nuk lind thjesht nga pjesëmarrja në protestë, por nga sjellja e personit. Megjithatë, sipas propozimit, personat që qëndrojnë në një tubim të dhunshëm edhe pas paralajmërimeve të policisë, duke e ditur se po ushtrohet dhunë ose po dëmtohet prona, mund të mbajnë përgjegjësi financiare.

Gjobat për këtë kategori parashikohen deri në 500 mijë lekë të reja. Nga ky rregull përjashtohen gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nëpunësit që janë në krye të detyrës dhe kalimtarët e rastësishëm.

Për të miturit mbi 14 vjeç që marrin pjesë në tubime të dhunshme, gjoba parashikohet të paguhet nga prindërit ose kujdestari, në përputhje me legjislacionin përkatës.

  1. Ndryshime në ligjin “Për tubimet”: Kufizime deri në 72 orë dhe masa për thirrjet online

Instrumenti i tretë përfshin ndryshime në ligjin “Për tubimet”, të miratuar në vitin 2001. Sipas Ramës, ndryshimet synojnë t’i përshtatin rregullat me përdorimin e teknologjisë digjitale dhe me format e reja të organizimit të protestave.

Kur ekziston një rrezik real dhe i afërt për dhunë, policia do të mund të kufizojë tubimet deri në 72 orë brenda një perimetri të caktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore, objekteve të kultit dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore.

Thirrjet për dhunë në rrjetet sociale

Kur identifikon thirrje për dhunë në kuadër të një tubimi, policia do t’i dërgojë mbajtësit të llogarisë një njoftim për fshirjen e menjëhershme të postimit dhe për të mos e përsëritur sjelljen. Në rast moszbatimi ose përsëritjeje, do të ndiqen procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, përfshirë ndjekjen penale kur plotësohen kushtet ligjore.

Identifikimi i personave të maskuar

Ndalimi i fshehjes së identitetit gjatë protestave parashikohet të përfshihet edhe në Kodin Penal, sipas modelit që Rama e lidhi me legjislacionin francez dhe praktikat e vendeve të tjera europiane.

Gjobat e propozuara

Paketa parashikon këto masa financiare:

– Nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë të reja për pjesëmarrje në një tubim pa leje dhe mosbindje ndaj thirrjeve për largim.

– Deri në 500 mijë lekë të reja për mosbindje ndaj urdhrit për shpërndarje dhe fshehje të identitetit, sipas kushteve të përcaktuara.

– 5 mijë lekë të reja për çdo pjesëmarrës për bllokimin e qarkullimit.

Sipas Ramës, synimi është të mos lejohet që ushtrimi i lirisë së protestës të cenojë lirinë e lëvizjes dhe të pengojë punën, shkollën apo aktivitetet e përditshme të qytetarëve të tjerë.

  1. Regjistër i posaçëm për personat e referuar ose nën hetim

Instrumenti i katërt parashikon krijimin e një Regjistri të Posaçëm Elektronik për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit, rendit dhe sigurisë publike.

Regjistri do të administrohet nga Policia e Shtetit dhe do të përmbajë të dhënat e identifikimit të personave që përfshihen në të.

Sipas paketës së prezantuar, Policia Kufitare dhe e Migracionit do të mund të zbatojë dispozitat e ligjit për kontrollin e kufirit shtetëror për refuzimin e daljes nga vendi të personave që synojnë t’i shmangen ndjekjes penale, ndalimit, arrestimit ose ekzekutimit të dënimit me burg për veprat përkatëse, kur plotësohen kushtet ligjore.

Vendimi parashikon gjithashtu njoftimin e autoriteteve të huaja në vendet ku udhëton personi, strukturave akomoduese dhe kompanive të transportit ajror, detar ose hekurudhor për rrezikun që ai mund të paraqesë për rendin dhe sigurinë publike.

  1. Mësuesit që nxisin nxënësit të marrin pjesë në tubime rrezikojnë pezullimin

Instrumenti i pestë lidhet me ndryshimet në Kodin e Etikës për mësuesit e arsimit parauniversitar.

Sipas propozimit, mësuesit nuk do të mund të përdorin autoritetin e tyre profesional për të nxitur, organizuar ose koordinuar pjesëmarrjen e nxënësve nën 18 vjeç në tubime, kur kjo bie ndesh me interesin më të lartë të fëmijës dhe pritshmëritë e prindërve. Shkeljet e këtij rregulli mund të sjellin pezullimin ose largimin e mësuesit nga detyra.

Rama theksoi se masa nuk prek të drejtën e mësuesve për t’u shprehur apo për të protestuar personalisht. Synimi, sipas tij, është të ndalohet përdorimi i marrëdhënies mësues-nxënës për të përfshirë fëmijët në tubime për motive të të rriturve.

  1. Ndryshime në Kodin Penal: Burg për maskat dhe ndëshkime më të rënda për dhunën

Instrumenti i gjashtë përfshin një paketë propozimesh për ndryshime në Kodin Penal, të cilat, sipas kryeministrit, mbështeten në praktikat e vendeve të Bashkimit Europian, veçanërisht Francës dhe Italisë, si dhe në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Dispozitat synojnë të ndëshkojnë dhunën, nxitjen e saj, kanosjen dhe përndjekjen, përfshirë rastet që ndodhin në rrjetet sociale. Në të njëjtën kohë, sipas paketës, protesta paqësore, kritika politike, satira dhe gazetaria përjashtohen shprehimisht nga ndëshkimi.

Pjesëmarrja në tubime të dhunshme

Sipas propozimit, përgjegjësia penale do të përfshijë personat që vazhdojnë të qëndrojnë në një tubim pas paralajmërimeve të policisë, kur janë në dijeni se po ushtrohet dhunë ose po dëmtohet prona. Parashikohet gjithashtu ndëshkimi për organizimin e një tubimi të ndaluar me vendim të ligjshëm. Personat që kapen me armë ose sende të tjera të rrezikshme gjatë tubimeve mund të dënohen deri në dy vjet burg.

Mbajtja e maskës gjatë dhunës

Fshehja e fytyrës parashikohet të ndëshkohet penalisht vetëm kur gjatë tubimit ka dhunë ose rrezik konkret për dhunë. Sanksioni do të jetë gjobë ose deri në gjashtë muaj burg.

Nga kjo masë përjashtohen personat që mbulojnë fytyrën për arsye shëndetësore, fetare ose profesionale, si dhe ata që e zbulojnë atë pas urdhrit të policisë.

Dënime më të rënda për shkatërrimin e pronës

Shkatërrimi i pronës gjatë tubimeve parashikohet të dënohet më rëndë se aktualisht. Sipas paketës, dënimi mund të dyfishohet kur dëmtimi prek shkolla, institucione, shërbime publike ose monumente kulture. Gjithashtu, dhuna ndaj policëve dhe qytetarëve parashikohet të ketë dënim më të rëndë kur kryhet nga persona të maskuar, me një rritje të mundshme deri në një të tretën.

Vepër e re penale për nxitjen e dhunës

Paketa propozon krijimin e një vepre të re penale për thirrjet publike që nxisin dhunë, plaçkitje ose shkatërrim gjatë një tubimi, përfshirë thirrjet në rrjetet sociale, kur ato krijojnë rrezik real dhe të afërt.

Dënimi parashikohet të jetë më i rëndë kur thirrjet u drejtohen fëmijëve ose kur pas tyre ndodhin akte dhune.

Thirrjet për protesta paqësore, kritikat politike dhe gazetaria nuk do të ndëshkohen, sipas propozimit.

Kanosja dhe përndjekja në internet

Ndryshimet parashikojnë zgjerimin e mbrojtjes ligjore ndaj kanosjes publike dhe online. Sipas Ramës, synimi është që mbrojtja të mos kufizohet vetëm te rastet e kanosjes me motive etnike, racore ose fetare, siç parashikohet aktualisht nga dispozita që ai iu referua.

Një tjetër propozim lidhet me përndjekjen e vazhdueshme në internet ose në jetën e përditshme, përmes mesazheve kërcënuese, monitorimit të vendndodhjes, ndjekjes ose filmimit të një personi pranë shtëpisë, në punë apo në ambiente të tjera, kur sjellja e detyron atë të ndryshojë mënyrën e jetesës.

Publikimi i adresave për të vënë persona në rrezik

Sipas paketës, do të ndëshkohet publikimi i të dhënave që mundësojnë gjetjen e një personi ose të familjarëve të tij, kur qëllimi është ekspozimi i tyre ndaj sulmeve.

Kjo masë synon të mbrojë privatësinë dhe sigurinë personale nga përdorimi i të dhënave në mënyrë që mund të nxisë dhunë.

Videot e falsifikuara me inteligjencë artificiale

Një tjetër propozim lidhet me krijimin dhe shpërndarjen pa pëlqim të materialeve të falsifikuara me inteligjencë artificiale, që përdorin fotografinë ose zërin e një personi.

Kur këto materiale mashtrojnë publikun dhe i shkaktojnë dëm personit të përfshirë, shpërndarja e tyre parashikohet të përbëjë vepër penale. Satira dhe parodia që identifikohen qartë si të tilla përjashtohen nga ndëshkimi, sipas paketës.

Mbrojtje më e fortë për deputetët dhe personat publikë

Propozimet parashikojnë masa më të ashpra për kanosjet ndaj deputetëve, funksionarëve publikë dhe familjarëve të tyre, përfshirë rastet kur kërcënimet bëhen në internet. Kritikat, protestat dhe peticionet nuk përfshihen në këtë kategori dhe nuk parashikohet të ndëshkohen.

Përgjegjësi për lënien e fëmijëve të vegjël në rrezik

Paketa parashikon gjithashtu një dispozitë për rrezikimin e fëmijës nga pakujdesia. Sipas propozimit, prindi, kujdestari, mësuesi ose edukatori do të mbajë përgjegjësi kur lë një fëmijë nën 14 vjeç pa mbikëqyrje, në një situatë që paraqet rrezik real për jetën ose shëndetin e tij.

Dënimi parashikohet të shkallëzohet në varësi të pasojave dhe mund të arrijë deri në 10 vjet burg në rastet kur fëmija humb jetën. Sipas Ramës, gjykata mund ta zbusë dënimin në rastet kur prindi ka humbur vetë fëmijën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme