Vendimi i Hagës për ish-krerët e UÇK-së, Vuçiç sulmon reagimet e zyrtarëve të rajonit mes tyre Rama e Begaj: Imagjinoni të themi ne “Liria ka emër”

Kosovë | 1 ditë më parë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç kritikoi reagimet e kryeministrit Edi Rama dhe të Presidentit Bajram Begaj, pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së me 81 vite burg në total.

Sipas Vuçiç, vendimi i Hagës tregon se shumë krime të rënda të kryera ndaj serbëve ende nuk kanë marrë një përfundim gjyqësor.

“Prisja të shihja deklaratat e të gjithëve, që të kuptonit me çfarë problemesh po përballet Serbia sot dhe me sa hipokrizi po përballemi ne”, tha Vuçiç.

Ai iu referua fillimisht reagimit të Presidentit Bajram Begaj, i cili shprehu “trishtim të thellë” për vendimin e gjykatës dhe deklaroi se “për shqiptarët, askush dhe asgjë nuk mund ta njollosë UÇK-në” dhe se “liria ka një emër”.

“Vetëm imagjinoni sikur një nga zyrtarët tanë të thoshte: ‘Liria ka një emër’ dhe të përmendte ndonjë serb të dënuar në Gjykatën e Hagës”, tha presidenti serb.

Vuçiç kritikoi gjithashtu reagimin e kryeministrit Edi Rama, i cili, pas shpalljes së vendimit, publikoi në rrjetet sociale fjalën “turp”.

Sipas tij, këto deklarata tregojnë një standard të dyfishtë ndaj vendimeve gjyqësore dhe ndaj Serbisë.

“Dhe mendova se ishin kriminelë, të paktën të dënuar në shkallën e parë. Jo të gjithë janë çlirimtarë, heronj dhe heroina”, tha Vuçiç, duke iu referuar reagimeve në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Ai përmendi edhe deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili e quajti vendimin “padrejtësi të papranueshme” dhe “ndëshkim të rëndë”, si dhe reagimet e zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Niko Gjeljoshaj, dhe të politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Vuçiç ngriti pyetjen nëse deklarata të tilla do të kishin pasoja për procesin e integrimit evropian të Malit të Zi.

“A do ta ndalojnë integrimin evropian sepse pështyjnë mbi vendimin dhe mohojnë sundimin e ligjit? Apo kjo vlen vetëm për serbët?”, pyeti ai.

Presidenti serb kritikoi gjithashtu qëndrimin e diplomacisë kroate. Ai tha se Zagrebi, edhe pse deklaroi se e merr parasysh vendimin, vijoi të theksonte interpretimin e tij politik dhe historik për luftën në Kosovë.

Vuçiç tha se reagimet e zyrtarëve shqiptarë dhe të politikanëve të tjerë në rajon tregojnë se viktimat serbe vazhdojnë të shtypen nga narrativat politike.

“Serbët duhet të jenë kriminelë në çdo njoftim dhe në çdo deklaratë”, tha presidenti serb.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme