Pagat e magjistratëve/ Aulona Bylykbashi prezanton draftin e PS: Koeficienti rritet me 0.38 të pagës së Presidentit

Projektligji për pagat e magjistratëve është prezantuar në Kuvend nga deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi.
Drafti parashikon ndryshimin e koeficientit të pagës, nga 0.36 në 0.38 % të pagës së Presidentit të Republikës.
Sipas Bylykbashit, formula e propozuar synon të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa njëkohësisht të ruajë përballueshmërinë e detyrimeve financiare për buxhetin e shtetit.
“Koeficienti 0.38 është rezultat i një vlerësimi të balancuar. Ai korrigjon efektin e ngrirjes së konstatuar nga gjykata, siguron një trajtim financiar në përputhje me rëndësinë dhe kufizimet e funksionit dhe, në të njëjtën kohë, ruan përballueshmërinë e detyrimit për financat publike”, tha ajo.
Projektligji parashikon gjithashtu që efektet financiare të formulës të njihen nga 1 prilli 2023.
“Efektet financiare të formulës do të njihen nga data 1 prill 2023. Detyrimet që krijohen për periudhën nga 1 prilli 2023 deri në 31 korrik të vitit 2026 do të mund të shlyhen gradualisht, por jo më vonë sesa dy vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji”, tha ajo
Sipas mazhorancës, ndryshimi i formulës synon të garantojë një trajtim financiar të përshtatshëm për magjistratët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




