Pagat e magjistratëve/ Bylykbashi: Projektligji shkel Kushtetutën. Manja: S’kemi diskutuar kurrë për uljen e tyre, por masën e rritjes

Politikë | 1 orë më parë

Projektligji për pagat e magjistratëve shkaktoi debate në Kuvend, me opozitën dhe mazhorancën që u përplasën për mënyrën e trajtimit financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, akuzoi mazhorancën se projektligji që pritet të votohet është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ajo që doni të votoni sot është në shkelje flagrante me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo përplasje nuk është konflikt kushtetues, por krizë kushtetuese e shkaktuar nga qeveria në mënyrë të qëllimshme”, tha ai.

Bylykbashi tha se projektligji do të përfundojë sërish në Gjykatën Kushtetuese dhe i kërkoi mazhorancës ta tërheqë atë dhe të zbatojë vendimin e gjykatës.

“Ky projektligj sot do të shkojë sërish në Gjykatën Kushtetuese. Nuk keni zgjidhje. Prandaj keni një rrugë: të tërhiqni këtë projektligj dhe të mos votohet, por të uleni dhe të zbatoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që përcakton kritere krejt të tjera nga ato që keni sjellë sot”, tha ai.

Nga mazhoranca, deputeti socialist Ulsi Manja theksoi se pavarësia financiare e sistemit të drejtësisë është pjesë e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, por nënvizoi edhe rëndësinë e financave publike.

Manja tha se çështja e dërguar në Gjykatën Kushtetuese nuk kishte të bënte me uljen e pagave, por me masën e rritjes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Kjo që ju bëni sot, se ju qan zemra për pagat e gjyqtarëve. Pavarësia financiare e sistemit të drejtësisë është element i pavarësisë së këtij pushteti. Në Gjykatën Kushtetuese kemi shkuar jo për uljen e pagës, por për masën e rritjes së pagës së prokurorëve dhe gjyqtarëve. Atje kemi shkuar vetëm për të përcaktuar masën e rritjes së kësaj page, por kurrë për uljen e saj.

Pavarësia financiare e sistemit të drejtësisë është e rëndësishme, por edhe financat publike janë të rëndësishme. Ne e konsiderojmë çështjen e trajtimit financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve si një standard që e ka vendosur kjo mazhorancë që me reformën në drejtësi. Pasi të votojmë këtë projektligj sot, për të plotësuar hendekun ligjor, atëherë qeveria, Kuvendi dhe sistemi i drejtësisë të ulemi dhe madje të ftojmë partnerët ndërkombëtarë, që të shohim se si funksionon sistemi atje dhe si paguhen homologët e tyre në Europë”, tha Manja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme