Presidenti Begaj dekreton ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Politikë | 1 orë më parë

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”,  duke i hapur rrugë zhbllokimit të pagesave të magjistratëve. Vendimi vjen pas kërkesës së Kuvendit, i cili e ka argumentuar urgjencën me bllokimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve që prej 1 gushtit, pas shfuqizimit të dispozitave për pagat nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas vendimit, me hyrjen në fuqi të ligjit, Thesari i Shtetit mund të procedojë me pagesat e bllokuara dhe ato në vijim. Synimi i Kuvendit është që pagat e prapambetura të mund të disbursohen që më 18 shtator.

Presidenti argumenton se ndjekja e procedurës së zakonshme të hyrjes në fuqi do ta shtynte procesin me 15 deri në 35 ditë, ndërsa situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Në arsyetimin e dekretit, Begaj thekson se debatet kushtetuese mbi masën e pagave mund të vijojnë në instancat kompetente, por zhbllokimi i pagesave mund të bëhet vetëm përmes hyrjes në fuqi të ligjit të ri.

Sipas Presidentit, vendimi për hyrjen e menjëhershme në fuqi lidhet edhe me garantimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe qëndrueshmërisë së të ardhurave për gjyqtarët dhe prokurorët.

Njoftimi i plotë:

Presidenti i Republikës nxorri sot dekretin për shpalljen e ligjit nr. 95/2026, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, pasi kishte dhënë më parë pëlqimin për hyrjen në fuqi të tij menjëherë.
Presidenti i Republikës dha pëlqimin për hyrjen në fuqi të ligjit menjëherë bazuar në kërkesën e Kuvendit, i cili argumentonte nevojën dhe urgjencën për hyrjen në fuqi menjëherë me faktin se shfuqizimi i dispozitave për pagat e magjistratëve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese kishte bllokuar dhënien e pagave për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, që nga data 1 gusht 2026 e në vazhdim.

Pa hyrjen në fuqi të ligjit të ri, Thesari i Shtetit nuk mund të çlirojë pagesat për magjistratët.

Qëllimi i Kuvendit ishte që të mundësonte pagesat e Thesarit të Shtetit për gjyqtarët dhe prokurorët që në datën 18 shtator 2026 për pagat e bllokuara që nga data 1 gusht 2026 dhe për ato vijuese. Hyrja në fuqi e ligjit sipas procedurave të zakonshme do ta vononte këtë proces nga 15 deri në 35 ditë. Dhënia e pëlqimit nga Presidenti i Republikës për hyrjen e ligjit në fuqi menjëherë është prerogativë dhe instrument kushtetues, i cili justifikohet nga nevoja dhe urgjenca e rrethanave të rastit.
Argumentet dhe kundërargumentet kushtetuese lidhur me masën e pagës mund të debatohen edhe në instanca të tjera kompetente, por zhbllokimi në rrugë të ligjshme i vetë pagës mund të bëhet vetëm duke futur në fuqi ligjin e ri.

Hyrja e ligjit në fuqi menjëherë kërkon që Presidenti i Republikës të veprojë menjëherë. Për Presidentin e Republikës, dhënia e pëlqimit në këtë rast i shërben mbrojtjes së një nevoje akute, me lidhje të drejpërdrejtë me parimin e pavarësisë së gjyqësorit, që është garantimi i standardit të jetesës dhe i qëndrueshmërisë së të ardhurave për të gjithë magjistratët e vendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme