Inflacioni në muajin gusht 2026 arrin në 3,0% sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit

Ekonomi | 2 orë më parë

Inflacioni i matur me Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin Gusht 2026 u regjistrua në normën 3,0%, duke pasqyruar ecurinë e çmimeve në tregun e brendshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Peshën kryesore në rritjen vjetore e mbajti grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, i cili dha një kontribut prej +0,74 pikë përqindje (rritje vjetore 2,1%). Ai u ndoq nga grupi “Transporti” me një kontribut prej +0,59 pikë përqindje (rritje vjetore 7,0%), si dhe nga “Argëtim, sport dhe kulturë” me +0,55 pikë përqindje (rritje 8,5%) e “Restorante dhe shërbime akomodimi” me +0,51 pikë përqindje (rritje 3,5%).

Ulje prej 0,1% krahasuar me korrikun

Krahasuar me muajin paraardhës (Korrik 2026), çmimet e konsumit pësuan një ulje të lehtë prej 0,1%. Ndikimi kryesor erdhi nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Veshje dhe këpucë”, secili me një rënie mujore prej 0,9%, të ndjekura nga “Pije alkoolike dhe duhan” (-0,4%) dhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” (-0,2%).

Nga ana tjetër, rritja më e madhe mujore u shënua te “Transporti” me +2,1%, i ndjekur nga “Restorante dhe shërbime akomodimi” (+0,3%), si dhe “Qira, ujë, energji, gaz” e “Shëndeti” me nga +0,1%.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme