A po i afrohet paga vlerës reale të punës, tregu që po rishkruan peshën e diplomës, aftësisë dhe përvojës
Punësimi rekord dhe rritja e pagave, është ekspozuar në strukturën ekonomike të Shqipërisë me veprimin real të pagesës përkundrejt aftësisë dhe tregut. Ndërsa paga mesatare bruto arriti 90,119 lekë në muaj në tremujorin e parë të vitit 2026, 9.6% më shumë se një vit më parë, ndërsa vështirësitë e bizneseve për të gjetur punonjës janë rritur ndjeshëm, në të njëjtën kohë që diploma, vetë, nuk garanton më vlerën e një page.
“Kemi një prodhim i cili ka të bëjë me futjen e teknologjisë, ka të bëjë me mënyrën se si ai ekspozohet zhvillimeve më të fundit të tregut dhe nga ana tjetër të investohet në atë çfarë fuqia punëtore duhet të përshtatet me tregun dhe jo tregu me fuqinë punëtore aktuale”, thotë Eduart Gjokutaj, ekspert ekonomie.
I matur ndryshe Raporti mes regjistrimeve universitare dhe profesionale ka rënë nga 5 me 1 në vitin 2018 në 2.5 me 1 në vitin 2025, dhe tregu ka provuar edhe raste kur një elektricist apo saldator me përvojë mund të ketë pagë më të lartë se një profesionist universitar në fillim të karrierës.
“Janë prodhuar më shumë diploma sesa zanate apo aftësi të cilat i vlejnë pjesës së zhvillimit të përditshëm, por edhe rritjes së asaj çfarë nevojitet.”, thekson Eduart Gjokutaj, ekspert ekonomie.
Një fenomen tjetër është edhe ai që profesionet teknike, si IT, inxhinieria dhe profesionet e certifikuara, kanë fituar premium page, ndërsa diferenca mes profesionit më të paguar dhe atij më pak të paguar është zgjeruar nga rreth 4 me 1 në vitin 2015 në mbi 8 me 1 sot.
“Informaliteti i cili e pengon zhvillimin, strukturimi i ndërmarrjeve të reja për t’u orientuar drejt një tregu më optimal dhe orientimi i politikave publike me një qasje shumë ndryshe nga deri më sot dhe nga një qasje të themi aktive në një qasje proaktive pasi nuk ndërveprojmë me tregun.”, nënvizon Gjokutaj.
Krijimi i një mekanizmi më dinamik të vlerësimit të punës: paga të pasqyrojë jo vetëm pozicionin, por edhe përgjegjësinë reale, aftësitë e provuara, përvojën, certifikimin, produktivitetin, kërkesën në treg dhe perspektivën e karrierës, cilësohet si problem i shtruar për zgjidhje. Sidomos në kushtet e veprimit tjetër të pagës përkundrejt vlerës reale që krijon individi në ekonomi.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




