Integrimi në BE, eurodeputetët e ECR-së marrin pjesë në takimin e 22-të të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri në Tiranë

Politikë | 1 orë më parë

Eurodeputetët e grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR), Chiara Gemma, nënkryetare e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (SAPC) BE-Shqipëri, dhe Cristian Terheș, do të jenë të pranishëm në Tiranë gjatë ditëve të hënë dhe të martë (21–22 shtator) për të marrë pjesë në takimin e 22-të të këtij komiteti.

Sipas njoftimit, pjesëmarrja e tyre vjen në një moment kur Shqipëria ka shënuar ecuri në procesin e integrimit evropian, duke hapur të gjashtë grupet negociuese. Grupi ECR ka rikonfirmuar mbështetjen e tij për rrugëtimin evropian të vendit, duke e cilësuar Shqipërinë si një partner strategjik për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, edhe në kuadër të anëtarësimit të saj në NATO.

Reformat, sundimi i ligjit dhe ritmi i integrimit

Pavarësisht vlerësimit për arritjet e deritanishme, eurodeputetët nënvizojnë se e ardhmja e anëtarësimit duhet të mbështetet te zbatimi konkret i reformave në terren. Ndër shtyllat kryesore ku kërkohet vëmendje e veçantë nga autoritetet shqiptare përfshihen:

Forcimi i sundimit të ligjit, garantimi i pavarësisë dhe efektivitetit të institucioneve të drejtësisë; zbatimi i legjislacionit, sigurimi që ligjet e miratuara të zbatohen plotësisht në praktikë, si dhe uljа e polarizimit politik, krijimi i një klime bashkëpunimi konstruktiv mes palëve.

Sipas përfaqësuesve të ECR-së, ritmi përfundimtar i pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të pasqyrojë drejtpërdrejt cilësinë dhe qëndrueshmërinë e reformave të ndërmarra.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme