Demo: Eksperienca e FBI do transmetohet në strukturat tona, digjitalizimi i Policisë së Shtetit është prioritet
Ministri për Punët e Brendshme, Ervin Demo, ka vënë theksin te forcimi i institucioneve, rritja e kapaciteteve profesionale dhe thellimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit. Në fjalën e mbajtur në Konferencën e Ish-Studentëve Europianë të FBI-së, Demo deklaroi se partneritetet ndërkombëtare ndërtohen mbi besimin mes institucioneve dhe se rezultatet e arritura në luftën kundër krimit nuk duhet të shoqërohen me ulje të vigjilencës.
“Partneritetet e qëndrueshme ndërkombëtare ndërtohen mbi institucione të besueshme. Partnerët duhet të kenë besim te njëri-tjetri dhe institucionet duhet të kenë besim te njëri-tjetri. Rezultatet e arritura janë të rëndësishme, por në luftën kundër krimit nuk ka vend për asnjë sekondë pushim. Prandaj, duhet të bëjmë më shumë dhe më mirë. Roli i institucioneve që janë në këtë sallë është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, deklaroi Demo.
Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit institucional, Demo e krahasoi fuqinë e përbashkët të institucioneve me një zinxhir, ku çdo hallkë ka rëndësinë e saj. Ministri vlerësoi gjithashtu rolin e eksperiencës së FBI-së në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe në përcjelljen e njohurive te strukturat shqiptare. Demo renditi më tej disa prej prioriteteve për Policinë e Shtetit, duke veçuar profesionalizimin, modernizimin, forcimin e kapaciteteve dhe zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
“Fuqia jonë kolektive është e barabartë me fuqinë e hallkës më të dobët të zinxhirit ku ne të gjithë bëjmë pjesë. Askush nuk mund të mbetet pas. Sa më të forta dhe profesionale të jenë institucionet tona, aq më i madh është besimi i partnerëve. Sa më i madh besimi, aq më efektiv mbetet bashkëpunimi. Uroj që në këtë takim të vendosim një gur të mëtejshëm themeli për një Shqipëri më të sigurt dhe më të ndërlidhur me vendet partnere. Dhe këtu, eksperienca e FBI-së ka një efekt të pazëvendësueshëm. Njohuria e marrë këtu sot duhet të transmetohet brenda strukturave tona dhe të shumëfishojë ndikimin e saj. Dua t’ju siguroj se do të vazhdojmë të investojmë në profesionalizëm, në modernizimin e Policisë së Shtetit, në forcimin e kapaciteteve të saj dhe në zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë. Rritja e kapaciteteve tona në fushën e identifikimit dhe sekuestrimit të aseteve kriminale është prioritet. Digjitalizimi, modernizimi dhe automatizimi i mëtejshëm i punës së Policisë së Shtetit janë pritshmëri dhe objektiva të rëndësishëm. Po ashtu, forcimi i kapaciteteve ndaj rreziqeve hibride dhe lufta kundër krimit kibernetik janë në krye të agjendës sonë.”, theksoi ministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




