Takimi i 22-të i KPSA BE–Shqipëri në Tiranë, Balla: Ambicia jonë e qartë, anëtarësim i plotë në BE brenda vitit 2030
Shqipëria synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda Krishtlindjeve të vitit 2027 dhe të bëhet anëtare e plotë brenda vitit 2030.
Këtë objektiv e shpalli kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë hapjes së takimit të 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (KPSA) BE–Shqipëri, që po zhvillohet në Tiranë më 21–22 shtator.
Balla theksoi se Shqipëria ka përfunduar hapjen e të gjithë grup-kapitujve të negociatave dhe tashmë ka hyrë në fazën e mbylljes së tyre.
“Kjo mbledhje zhvillohet në një moment të rëndësishëm. Procesi anëtarësimit ka hyrë në fazë të re, Shqipëria ka përfunduar hapjen e të gjithë grup-kapitujve dhe ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve. Ambicia jonë është e qartë, të përfundojmë negociatat brenda krishtlindjeve të vitit 2027, me synimin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE brenda vitit 2030. Ky është një angazhim që kërkon një ritëm të lartë pune, përgjegjësi institucionale, cilësi reformash dhe rezultate të matshme. Fokusi duhet ët kalojë nga ligji i miratuar te ligji i zbatuar. Kjo fazë kërkon më shumë punë, përgjegjësi, rezultate të qëndrueshme”, tha Balla.
Takimi i KPSA-së zhvillohet në kuadër të mekanizmit të bashkëpunimit parlamentar mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian dhe vjen pas mbledhjes së 21-të, e cila u zhvillua më 8-9 korrik në Strasburg.
Në takimin dyditor do të marrin pjesë edhe eurodeputetët e grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR), Chiara Gemma dhe Cristian Terheș. Gemma është nënkryetare e delegacionit të Parlamentit Evropian për Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.
Punimet e takimit do të drejtohen nga bashkëkryetarët e delegacioneve, Taulant Balla, në cilësinë e kreut të delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë, dhe Marco Tarquinio, kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



