Integrimi i Shqipërisë në BE, Peleshi: Nuk mjafton miratimi i ligjeve, tani duhet zbatimi
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, gjatë fjalës së mbajtur në takimin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, deklaroi se Shqipëria ndodhet në një fazë përcaktuese të procesit të integrimit europian. Peleshi u shpreh se, nga njëra anë, procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian po përjeton një moment pozitiv, ndërsa nga ana tjetër, sfidat gjeopolitike, siguria, paqja në rajon, në kontinent dhe më gjerë mbeten çështje me rëndësi të veçantë. Sipas tij, anëtarësimi në Bashkimin Europian është “qëllimi strategjik kombëtar” dhe “destinacioni i vetëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon”, ndërsa e cilësoi atë si prioritetin numër një të Kuvendit të Shqipërisë.
“Nga njëra anë kemi procesin e zgjerimit të BE-së, sot është në ditë të mira. Nga ana tjetër, kemi kompleksitetin gjeopolitik dhe sigurinë, paqen në rajon e më gjerë, në kontinent dhe në botë. BE mbetet faktor dhe garanci e pazëvendësueshme për zhvillimin, stabilitetin dhe sigurinë. Përballë këtyre sfidave, busulla e Shqipërisë mbetet e pazëvendësueshme”, deklaroi Peleshi, duke theksuar se përballë këtyre sfidave, orientimi europian i Shqipërisë mbetet i pandryshuar.
Peleshi veçoi vitin 2026 si një moment të rëndësishëm për vendin, duke përmendur suksesin e konferencës së tetë ndërqeveritare në Bruksel për grupkapitullin e themeloreve, si dhe mbylljen e tre kapitujve të parë të negociatave.
Këto zhvillime, sipas kryetarit të Kuvendit, përbëjnë momente vendimtare për ambicien e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.
“Anëtarësimi në BE, qëllimi ynë strategjik kombëtar, destinacioni i vetëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon e, për rrjedhim, prioriteti numër 1 i Kuvendit të Shqipërisë. Këto ishin momente vendimtare për ambicien tonë kombëtare, anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda 2030. Tashmë kemi hyrë në një fazë përcaktuese të procesit të negociatave, ku fokusi po zhvendoset nga miratimi i ligjeve te zbatimi i tyre”, theksoi Peleshi. Ai nënvizoi kështu rëndësinë e zbatimit konkret të reformave dhe përmbushjes së angazhimeve të ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit europian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



