Karakaçi inspekton ujësjellësin e ri në Mamurras: Së shpejti nis investimi edhe për zonat rurale

Ekonomi | 2 orë më parë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, inspektoi nga afër përfundimin e fazës së parë të projektit për ndërtimin e ujësjellësit të ri në Mamurras, një investim që ka garantuar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për afro 20 mijë banorë të zonës urbane.

Gjatë vizitës, ministri ishte i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Fludian Çuka, dhe kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara. Projekti ka përfshirë hapjen e tre puseve të reja, ndërtimin e një depoje kryesore, tubacionin e transmetimit, rrjetin shpërndarës, sistemin e monitorimit SCADA dhe vendosjen e mbi 1 600 matësve të rinj, duke sjellë një përmirësim të ndjeshëm të shërbimit për abonentët.

Drejtori Çuka shpjegoi detajet teknike të investimit: “Dy puset kryesore japin një prodhim prej 70 deri në 100 litra në sekondë, ndërsa pusi tjetër është 15 deri në 20 litra në sekondë. Nga puset shkojmë te stacioni i pompimit dhe më pas te depoja kryesore. Me linjën e transmetimit shpërndahet në të gjithë qytetin dhe, me rrjetin shpërndarës, shkon në të gjitha banesat. Janë rreth 1 500 lidhje të reja që janë bërë, nga 2 800 në total.

Kryetarja Cara e cilësoi këtë si një nga investimet më të rëndësishme për komunitetin:

Është një investim i kahershëm, i kërkuar nga banorët, sepse uji është gjëja më e domosdoshme për këtë komunitet, por edhe për të gjithë ne, dhe është një nga investimet më të mëdha që i ka ardhur qytetit të Mamurrasit.”

Ministri Karakaçi bëri të ditur se së shpejti do të nisë faza e dytë e projektit, e cila do të shtrihet edhe në zonat rurale, duke mbuluar shtatë fshatra të Mamurrasit.

“Brenda 2-3 javëve shpallim procedurën e prokurimit për fazën e dytë, në mënyrë që viti pasardhës të na gjejë edhe me zgjerimin në zonat e fshatrave të Mamurrasit, duke përmbyllur gjithë këtë zonë.”

Ai u ndal më tej tek investimet e tjera të qeverisë në qarkun e Lezhës, duke përmendur projektet e realizuara me Bankën Gjermane KfW për zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në Shëngjin dhe Lezhë, si dhe rehabilitimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura.

Vetëm këtë vit përfunduam një projekt me vlerë rreth 16 milionë euro për zgjerimin e rrjetit të Shëngjinit dhe Lezhës, si dhe trajtimin e ujërave të shiut. Vazhdojmë tani me fazën e dytë, me vlerë rreth 26 milionë euro, për zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura. Janë pothuajse 40 milionë euro që do të investohen në Bashkinë e Lezhës, duke mbuluar edhe zonat turistike me impiante të trajtimit të ujërave.”

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme