Asambleja e OKB-së nis punimet, Rama mes liderëve botërorë në Nju Jork

Ka nisur këtë të martë (22 shtator) java e nivelit të lartë e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në selinë e OKB-së në Nju Jork. Debati i Përgjithshëm do të zhvillohet nga 22 deri më 26 shtator dhe do të vijojë më 28 shtator, me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve, qeverive dhe përfaqësuesve të lartë të vendeve anëtare. Sipas OKB-së, rreth 130 krerë shtetesh dhe qeverish pritet të marrin pjesë fizikisht në javën e nivelit të lartë.
Në këtë kuadër, edhe kryeministri Edi Rama ndodhet në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Rama pritet të marrë pjesë në hapjen e Debatit të Përgjithshëm dhe t’u drejtohet të pranishmëve me një fjalë.
Agjenda e vizitës së kryeministrit shqiptar parashikon gjithashtu pjesëmarrjen në pritje zyrtare dhe aktivitete të nivelit të lartë, si dhe takime me përfaqësues të politikës, ekonomisë dhe organizatave ndërkombëtare. Java e nivelit të lartë zhvillohet në një periudhë kur komuniteti ndërkombëtar përballet me një sërë krizash dhe sfidash globale. Në fokus të diskutimeve pritet të jenë luftërat dhe konfliktet, ndryshimet klimatike, pabarazitë ekonomike dhe sociale, zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale, si dhe çështjet që lidhen me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Sipas agjendës së OKB-së, gjatë kësaj jave do të zhvillohen edhe disa takime të nivelit të lartë për çështje specifike, përfshirë klimën dhe tranzicionin e drejtë, ngritjen e nivelit të detit, parandalimin dhe përgatitjen ndaj pandemive, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




