Hetimet për dosjen “AKSHI”- Masë sigurie për drejtoren e SHISH, merret në pyetje Ilir Proda

Aktualitet | 2 orë më parë

Struktura e Posaçme Anti Korrupsion me miratimin e gjykatës së posaçme lëshuan masën e sigurisë ndaj drejtores së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni si dhe kontrolluan banesën e ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

SPAK për Vlora Hysenin ka kërkuar pezullimin nga detyra dhe ka caktuar masën “arrest në shtëpi”.

Masa e sigurisë ndaj Vlora Hysenit nuk është ekzekutuar, pasi ajo ndodhet jashtë Shqipërisë. Hyseni dyshohet për dy vepra penale, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.

Ndërsa Ilir Prodës, iu kontrollua banesa, ku disa orë më pas ai shkoi në Prokurorinë e Posaçme ku u mor në pyetje nga dy prokurorët Bledar Maksuti dhe Altin Dumani.

Sakaq, në vijim të këtij operacioni, në pranga kanë rënë Fatjon Kalluci, shefi i laboratorit Shkencor të Policisë, si edhe një administrator biznesi në Durrës, Embro Sulejmani.

I gjithë operacioni bëhet me dije se është organizuar në kuadër të hetimeve për dosjen “AKSHI”, ku ka të dhëna se provat për shkeljet e konstatuara nga Proda dhe Hyseni janë gjetur në një pajisje që Ergys Agasi e kishte vendosur në zyrën e tij, duke filmuar çdo takim që ai realizonte.

Ky operacion i SPAK lidhet me fraksionin e AKSHI-t për hetimet ndaj Ergys Agasit, i cili u arrestua disa javë më pare dhe është kërkuar për tu miratuar nga GJKKO nga prokurorët e çështjes: Bledar Maksuti dhe Altin Dumani.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.

Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar,  me vendimin nr. 67, datë 21.9.2026 ka caktuar këto masa sigurimi:

“Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetases V. H., me detyrë Drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHSH), si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.

“Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin F.K., me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.

“Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin E.S., punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

Këto vendime i janë dërguar Policisë së Shtetit e cila ka ekzekutuar dy prej tyre.

Me vendimin nr. 618, datë 20.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të shtetasit I.P., ish funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.

Me vendimin nr. 619, datë 21.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lejuar kontrollin e kompleksit të vilave që ndodhen në adresën; kryqëzimi i rrugës “Durrësi në Shekuj” dhe rrugës “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozet, Durrës.

Prokuroria e Posaçme falënderon Policinë e Shtetit për mbështetjen në ekzekutimin e këtyre vendimeve.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme